Shkruan Hajriz Sejdiu – /njohës i fushës së sigurisë/
Në situata krize dinamike dhe të paparashikueshme, kriteret e mbrojtjes ka të ngjarë të jenë parësore dhe kërkojnë qasje të përgjegjshme, duke përfshirë aktivitetet e strehimit dhe vendbanimit, veçanërisht gjatë natës. Strategjia e reagimit, rimëkëmbjes dhe planifikimit të strehimoreve, synon të sigurojë që popullsitë e zhvendosura të mbrohen nga element keqbërës dhe të mund të jetojnë në kushte të dinjitetshme, pa kërcënime për sigurinë e tyre personale.
Është e nevojshme që qeveritë qendrore dhe lokale, agjencitë humanitare, organizatat vendore, si dhe njerëzit e shoqatat të përgatiten, për një reagim pozitiv ndaj krizave ose situatave të konflikteve dhe luftërave dhe të zvogëlojnë çdo rrezik të mundshëm në të ardhmen. Sigurimi i strehimit të përshtatshëm për të zhvendosurit dhe refugjatët është thelbësor për zvogëlimin e cenueshmërisë dhe promovimin e qëndrueshmërisë së komunitetit gjatë krizave. Me fjalë të tjera, sigurimi i strehimit, ujit, kanalizimeve, energjisë, ushqyerjes, kujdesit shëndetësor dhe kujdesit psikologjik, ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe sigurinë e shëndetit dhe jetës njerëzore.
Zgjedhja e një vendi të përshtatshëm për të akomoduar te zhvendosurit apo refugjatët luan një rol kyç në zvogëlimin e rreziqeve ndaj të cilave ata janë të ekspozuar. Mungesa e kritereve të përshtatshme në fakt mund të krijojë situata të paparashikueshme, duke ndikuar negativisht në lehtësimin dhe reagimin mbështetës për te zhvendosurit apo refugjatët.
Strehimi nga Fatkeqësitë Natyrore dhe në rast lufte në Republikën e Kosovës
Tek Ligji Nr. 04/-L-027 PËR MBROJTJE NGA FATKEQËSITË NATYRORE DHE FATKEQËSITË TJERA, KREU VI MASAT MBROJTËSE Neni 57 pika 4 Masat mbrojtëse, janë listuar të gjitha masat mbrojtëse duke pas parasysh hapësirat, urbanistike, ndërtimin dhe masat tjera teknike e që për fatin e keq, kurrë nuk janë përfillur as nuk janë zbatuar deri tash në asnjë Komunë të Kosovëse, në asnjë sektor apo objekt të infrastrukturës kritike apo objekt të rëndësisë së veçantë.
Në këtë ligj, renditen edhe çështjet e evakuimit, akomodimit, kujdesi për njerëzit e rrezikuar, mbrojtja radiologjike, kimike dhe biologjike, strehimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu brenda këtij ligji është përcaktuar edhe ndarja e strehimoreve, në ato të mbrojtjes elementare dhe ato plotësuese.
Çështja e strehimoreve në këtë ligj është shumë e detajuar dhe e specifikua, por për fatin e keq kurrë e zbatuar. Ja se si e definon ligji këtë çështje:
3. Strehimoret e mbrojtjes elementare ndërtohen në qytete dhe vendbanime të rrezikuara brenda ndërtesave të reja, të destinuara për shërbime të shëndetit publik, kujdesit dhe edukimit të fëmijëve, mbrojtje të trashëgimisë kulturore, informimit publik, televizioneve dhe radiove kombëtare, trafikut hekurudhor dhe ajror si dhe në ndërtesat e rëndësishme për furnizim me energji dhe ndërtesat industriale të destinuara për tu shfrytëzuar në kohë lufte për mbajtjen e aktiviteteve të rëndësisë së veçantë për mbrojtje dhe siguri;
4. Strehimoret në ndërtesat e reja në vendbanimet e caktuara, pllaka e parë duhet të përforcohet deri në masën që i reziston depërtimit të rrënojave;
5. Strehimoret ndërtohen si objekte të përdorimit të dyfishtë deri në masën që nuk e çrregullon funksionin e tyre mbrojtës;
6. Objektet tjera për mbrojtje duhet të ndërtohen në atë formë që sigurojnë strehim nga rrënojat.
Kurse neni 63 i këtij ligji- Strehimoret publike thotë se:
1. Me qëllim të sigurimit të strehimit, për njerëzit në vendet publike duhet të përdoren strehimoret publike apo objektet tjera të përshtatshme;
2. Strehimoret publike janë në kompetencë të autoriteteve lokale;
Neni 64 i Ligjit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera flet për:
Funksionet mbrojtëse të strehimoreve:
1. Strehimoret për mbrojtje elementare duhet të sigurojnë mbrojtje nga mbi-presioni, rrënojat, radioaktiviteti, zjarri dhe efektet e armëve dhe materiet tjera kimike si dhe duhet të furnizohen në masën që mundëson banim për një kohë më të gjatë;
2. Strehimoret e mbrojtjes plotësuese duhet të sigurojnë mbrojtje nga rrënojat.
Neni 65 i këtij ligji flet për: Mirëmbajtën dhe përdorimin e strehimoreve;
1. Pronarët dhe shfrytëzuesit janë të obliguar të mirëmbajnë strehimoret në gjendjen që i përputhen qëllimit;
2. Në raste emergjente, strehimorja duhet të bëhet e gatshme për përdorim brenda njëzetekatër (24) orëve;
3. Ndryshimet që e dobësojnë funksionin mbrojtës të strehimoreve janë të ndaluara pa përjashtim.
Ligji gjithashtu në mënyrë të detajuar trajton çështjet e evakuimit të banorëve të rrezikuar, marrja e vendimit për evakuim, lëvizja e banorëve sipas Aneksit për Evakuim dhe Strehim të Planit Operativ Emergjent Lokal, impaktit të zhvendosjes se komuniteteve nga një vend në tjetrin, kompensimin e shpenzimeve etj. Gjithashtu saktësohen edhe çështjet e akomodimit dhe kujdesit ndaj njerëzve të rrezikuar edhe nga rreziqet radiologjike, kimike dhe biologjike dhe strehimi i njerëzve nga të gjitha llojet e fatkeqësive natyrore dhe në rast lufte. Për me tepër sa i përket strehimit dhe llojeve të strehimoreve, qeveria ka nxjerr dy akte nënligjore ku rregullohet evakuimi, strehimi dhe masat hapësinore, urbanistike, ndërtimore dhe masat tjera teknike mbrojtëse për qytetarët e goditur nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera (FNFT) dhe në rast lufte:
1. RREGULLORE (QRK) Nr. 01/2015 PËR LLOJIN E OBJEKTEVE, MASAT HAPËSINORE, URBANISTIKE, NDËRTIMORE DHE MASAT E TJERA TEKNIKE TË MBROJTJES NGA FATKEQËSITË NATYRORE DHE FATKEQËSITË TJERA, dhe
2. RREGULLORE (QRK) NR. 18/2017 PËR LOKACIONET, KUSHTET PËR NDËRTIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E STREHIMOREVE, SI DHE NORMAT TEKNIKE PËR STREHIMORE DHE ADAPTIM TË OBJEKTEVE PËR STREHIM
Ne këto akte nënligjore rregullohen çështjet e nevojave për strehimin, planifikimin dhe ndërtimin e strehimoreve, infrastrukturën publike te përshtatshme për strehim, obligimet e investitorit, dokumentacioni ndërtimor, vendimi për përshtatjen e hapësirave për strehim, nivelin mbrojtës te strehimoreve, veçoritë mbrojtëse, perimetrin mbrojtës, standardet dhe kriteret për ndërtimin e strehimoreve, zgjidhjet funksionale te strehimoreve, daljet ndihmëse, hapësirat e strehimoreve, hapësirat për lëvizje, hapësirat për banim në strehimore, hapësirat sanitare, hapësirat për pajisje të ajrosjes, hapësirat tjera, veçoritë mbrojtëse të strehimoreve dhe qëndrueshmëria sipas rreziqeve, si efektet termike, radioaktive, mekanike, kushtet për konstruksionin e strehimoreve, pajisjet për mbylljen dhe hapjen për lëvizje, veçoritë mbrojtëse, pajisjet për strehimore, pajisjet sanitare, pajisjet për përgatitjen e ushqimit dhe pajisjet për ujë, furnizimi me ujë dhe largimin e ujërave të zeza, sistemi i ujësjellësit, kanalizimi, instalimet për ajër, hapjet për prurjen dhe largimin e ajrit dhe elementet për mbrojtje nga vala goditëse, instalimet për pastrimin e ajrit, instalimet për shpërndarjen e ajrit, instalimet dhe pajisjet elektroenergjetike dhe të komunikimit, burimet e energjisë elektrike, Instalimet elektroenergjetike, vendstrehimet dhe llojet e tyre, kontrolli dhe mirëmbajtja e pajisjeve, instalimeve dhe mjeteve në strehimore, mirëmbajtja e strehimoreve dhe inspektimi kontrollues i tyre.
Po ashtu sipas Nenit 61. Nevojat për ndërtimin e strehimoreve përcaktohen në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë nga fatkeqësitë e caktuara natyrore dhe fatkeqësitë tjera në komunën përkatëse dhe nevojës për strehimin e njerëzve dhe të mirave materiale;
3. Plani zhvillimor komunal përcakton vendosjen e strehimoreve në territorin e komunës, së bashku me makro lokacionin, llojin dhe kapacitetin e këtyre objekteve, me treguesit që janë në pajtim me nivelin e planit hapësinor;
7. Pëlqimin për planet dhe dokumentet nga paragrafët 1 deri në 6 të këtij neni që kanë të bëjnë me strehimoret i jep drejtoria komunale përkatëse që mbulon fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit në bashkëpunim me organin kompetent komunal përgjegjëse për planifikim hapësinor, në konsultim paraprak me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.
Përkundër rregullimit ligjor dhe akteve nënligjore shumë të detajuara, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e strehimoreve, Komunat si përgjegjës kryesor së bashku me Drejtoritë për mbrojtje dhe shpëtim dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent/MPB, për fatin e keq nuk kanë ndërtuar deri tash as nuk kanë planifikuar të ndërtojnë apo të adaptojnë në të ardhmen asnjë lloj strehimoreje, për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe për raste lufte.
Andaj është koha fundit që të mobilizohen të gjitha institucionet lokale dhe ato qendrore, që të fillojnë ndërtimin dhe adaptimin e strehimoreve jo vetëm për fatkeqësitë natyrore, por edhe për raste lufte sepse ligji për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera na obligon për zbatim, kurse situata e sigurisë në botë, Evropë dhe në rajonin e ballkanit, nuk na lejon hapësirë kohore, për shkujdesje, neglizhencë dhe apati, për të siguruar dhe mbrojtur qytetarët tanë nga çdo lloj fatkeqësie e posaqërisht nga lufta si lloji me i keq i fatkeqësisë. /2LONLINE/