Solisti nga Prizreni, Erblin Hoxha është fitues i Festivalit Muzikor “Fest Flaka”, pasi që mjeshtri të rrallë ka interpretuar këngën “Unë ty të kam dashtë”. Çmimin e dytë e mori solisti gjilanas Adnan Leka – “Çohuni djema”, derisa çmimin e tretë e fitoi Urata Gashi – “Baresha”. Në përzgjedhjen e më të mirëve të festivalit është angazhuar juria profesionale në përbërje: Lule Elezi, pianiste, Shpresa Gashi, soprano dhe Rreze Kryeziu – Breznica, muzikologe.
“Kënga për Rexhep Malën e Nuhi Berishën” e kënduar nga Xhentian Jetishi, e ka hapur Festivalin “Fest Flaka” që organizohet në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” e atë zyrtarisht e ka shpallur të hapur kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili me këtë rast ka theksuar se përmes “Flakës së Janarit” nderohen heronjtë e rënë dhe se të frymëzuar me veprat e tyre në edicionin e 33-të po japim kontributin tonë si shoqëri për brezat që do t’i lëmë pas nesh.
“Gjilani si qytet është plot me histori, ka shumë dëshmorë dhe nga ky qytet u bë shumë sakrificë, ndërkohë që ky gërshetim i të kaluarës dhe kulturës bëhet edhe më me vlerë përmes artistëve, andaj më lejoni të falënderojë orkestrën e mrekullueshme dhe të gjithë solistët e artistët, që i japin vlerë festivalit e qytetit”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.
Ekipi punues i Festivalit, Burhan Azizi, aranzhues, drejtues artistik Flamur Bucaliu, skenografia – Fazli Berisha, menaxhere gjenerale e Festivalit, Mediana Bislimi kanë bërë punë të mirë edhe falë Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte, që udhëhiqet nga drejtori Kushtrim Zeqiri.
Në pjesën garuese janë paraqitur këta solistë: Jonit Ramadani – “Po shkon goca”, Teuta Statovci – “Kur më del në derë”, Arlind Demiri – “E kujtoj me mall”, Finesa Selimi – “Nënë moj”, Jon Kosumi – “Rrugët e mia”, Altina Halimi – “Një lule”, Berat Demiri – “Zbret shqiponja”, Adnan Leka – “Çohuni djema”, “Florentina Abazi – “Mu njaty ke shtatë zymbyla”, Naser Beqiri – “Këndojnë pushkët nëpër kulla”, Urata Gashi – “Baresha”, Bled Ibrahimi, dhe Erblin Hoxha – “Unë ty moj të kam dashtë”. Në pjesën artistike janë paraqitur edhe Kori i Grave “Muzat” me këngën “Perëndeshë e bukurisë” nën dirigjimin e Albina Jakupit, Herolinda Bucaliu – Bajrami dhe Kori i Fëmijëve “E duam lumturinë” përcjellë nën dirigjim të Artan Jerliut dhe Murat Ismajli dhe Bekim Rexhepaj me klarinetë dhe vallja koreografike “Kolazh kosovar” me valltarët e AKV Gjilani të keorografit Qemajl Musliu.
Në këtë mbrëmje është shfaqur edhe një dokumentar për artistin e madh Nehat Ferati – Sneki, që ka ndërruar jetë muaj më parë.
“Flaka e Janarit 2024” vazhdon me Orën e Madhe Letrare, “Pena e Flakës”. /2LONLINE/