Për aq sa është i lehtë analizimi dhe interpretimi i zhvillimeve politike nga këndvështrimi apartiak, aq është edhe i veshtirë. I lehtë për faktin se të lejon të thuash të vërtetën lakuriqe ashtu siq është. Por aq e vështirë është thënja e së vërtetës pa kamuflime, saqë ajo pastaj të fut në situata konfliktuoze me të gjitha grupet e interesit.
Shkruan: Florim Zeqa
Me këtë dinamikë dhe çasje të zhvillimeve politike, të qenurit apartiak dhe paanësia në interpretimin e ngjarjeve politike të përballë çdo ditë me njërin krah apo ideologji politike.
Varësisht prej situatave dhe qëndrimeve politike ndryshojnë edhe reagimet e njerëzve. Kur e lëvdon një subjekt apo lider partiak të hidhërohen simpatizantët e subjekteve tjera dhe anasjelltas, kur e kritikon veprimin e gabuar të një lideri apo subjekti politik atëherë vërshojnë si lum lëvdatat e simpatizantëve të krahut tjetër politik.
Pozicioni apartiak në njërën ane dhe paanësia në gjykime anën tjetër, më bëjnë të ndjehem i relaksuar dhe pa asnjë ngarkese gjatë interpretimit të zhvillimeve politike.
Ndjehem me fat që nuk jam i varur nga politika dhe i pa ndikuar nga egoja për pushtet dhe privilegje pushtetore.
Interpretimi im rreth një ngjarje politike është i bazuar në vlerësimin real dhe të pastër analitik, pa ngjyrime partiake, pa ngarkesën e ambicies politike, pa ndikimin e simpatisë apo urrejtjes personale ndaj një lideri apo subjekti të caktuar politik.
Ja vlenë të rrezikohet për të vertetën
Thënja e së vërtetës dhe të qëndruarit vertikalisht në rrugën e ndryshimit është gjëja më e vështirë dhe e rrezikshme për realitetin e sotëm politik në Kosovë.
Thënja e së vërtetës sot është barabartë me të qenurit mes dy poleve të kundërta në një çark të mbyllur, ku është e pamundur të shpëtosh pa u djegur, sikurse që është i pamundur të qëndroj një qiri i ndezur mes dy rrymave të kundërta të ajrit!
Në ditët e sotme, kur gënjeshtra mashtrimi janë bërë standard i veprimeve të politikanëve, thënja e së vërtetës edhe pse e rrezikshme është e domosdoshme për këndelljen e qytetarëve të hipnotizuar nga mashtrimet e politikanëve.
Edhe përkundër rreziqeve të shumta, kërcënimeve dhe shantazheve të përditshme, unë do të vazhdoj të hedhë dritë mbi errësirën e informacionit politik, duke i qëndruar besnik misionit dhe idealit tim për një shtet të lirë dhe demokratik në funksion të qytetarëve të ndershëm dhe të dashur të vendit tim.
Sikurse deri më tani, do të bëhem forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i i ndryshimeve të pëgjithshme shoqërore, e assesi zë i një grupimi politik, por një zë plural dhe i pavarur politik duke qendruar besnik ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshihet nga të tjerët, duke i bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!
Do të mbetem i përkushtuar rreth alternatives së ndryshimit politik dhe ndryshimit të mentalitetit qeverisës në vendin tonë, gjegjësisht të kalimit nga mentaliteti zhvatës dhe uzurpues në atë të dhënjes gjithçka për shtetin dhe qytetarët, ashtu siq kishim në fillimvitet e ’90-ta.
Qëllimi im i pastër për konsolidimin e shtetit të Kosovës, për mirëqenjën dhe barazinë e qytetarëve para ligjit, mbetet ideal i shënjtë dhe i panegociueshem deri në fund të jetës time.
Edhe pse jo drejtpërdrejt i kyçur në politikë, me idetë dhe vizionin tim, do të angazhohem që gjërat të ndryshojnë më shpejtë, në të mirën e vendit dhe qytetarëve./2LONLINE.com/