Lodhja shpeshherë lidhet vetëm me qëndrimet deri vonë në mbrëmje dhe me mungesë të gjumit. Por, në shumë raste mund të jetë simptomë e anemisë, e cila ndodh kur njerëzit kanë mungesë të vitaminave dhe mineraleve të caktuara.
Anemia mund të ndërlidhet me shumë shkaktarë, duke përfshirë edhe mungesën e vitaminës B12 dhe hekurit.
Vitamina B12 përfshihet në krijimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe e mban sistemin nervor të shëndetshëm, si dhe liron energji nga ushqimi.
Shikimi i turbullt, depresioni dhe dobësimi i aftësive mendore janë gjithashtu simptoma të mungesës së kësaj vitamine. Këtë vitaminë mund ta merrni përmes mishit, salmonit, qumështit, djathit, vezëve, por edhe në formë suplementi.
Nga ana tjetër, hekuri gjithashtu luan rol të rëndësishëm në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Përveç që shkakton lodhje dhe mungesë të energjisë, mungesa e hekurit shkakton edhe probleme me frymëmarrje, rrahje të çrregullta të zemrës dhe lëkurë të zverdhur.