Të humbur jo qiejve, por këtu në tokën tonë mëmë… duke kërkuar engjëllin që ec kësaj tokë të rënduar me mëkatin e madh të vetëkënaqësisë, vetëmashtrimit, vetërrënimit, vetëshkatrrimit, vetizolimit, të dyshimit në të kaluarën, të dyshimit në të sotmen… të dyshimit në vetvete dhe të dyshimit në gjithçka dhe në secilin…
Shkruan: Bejtush Isufi
Fantazma e dyshimit lodron e shfrenuar si kuajt e verdhë…e ne matemi me hijen e mëngjesit ani pse nuk arrijmë as të belbëzojmë dhe na dridhen këmbët ende pa e nisur hapin e parë…
…Njihe vetveten thoshte Sokrati dhe shekujt pastaj rrodhën rrëke, e unë sot më duhet ende të rropatem në çdo sekondë që ti jap një përgjigje të vetme dhe të përhershme vetvetes, por duket se është një punë që nuk bëhet… a mund ta gjejnë përgjigjen ata që nuk janë duke e kërkuar fare?
…Dhe sa herë që mendoj për dorën e të Gjithëfuqishmit më kujtohet fjala e të Madhit… se këtë detyrë e ka “deleguar” te ne… prej se na e dërgoi mendjen për të na dhënë gjithë mundin e të kuptuarit, por mos dhashtë Zoti që nga përtesa, të kemi harruar ta përdorim këtë “ mjet” të fundit të shpëtimit…
…Kanë ardhur do kohë të liga këndej pari, ku veç kënga e qyqesh dëgjohet…
…Dhe se mos është hera e parë që na këndojnë qyqet, e nuk e njohim zërin e tyre, mund të thotë secili prej nesh? Pse nuk i shohim fushave dhe bjeshkëve tona petritin, gjinkallat, bylbylat dhe zogjtë tjerë?
…
Nuk di pse po e pres se aty pas këndit të parë të rrugës do takoj hijen e atyre që na patën lënë një tjetër amanet …
Sikur të kisha një përgjigje, një shpjegim për këtë buzëmbrëmje të shpresës shqiptare…