Sonte do të jenë 90 minuta shpresë për skuadrën e futbollit, FC Drita nga Gjilani, për ta përmbysur humbjen minimale të pësuar në Letoni nga FK Auda, një fitore kjo që do ta kalonte Dritën në play-off të Ligës së Konferencës, ku do të priste ballafaqimin me fituesin e ndeshjes Legia Varshava – Brondby.
Pra, sonte prej orës 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, FC Drita pret FK Auda, në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë. Ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultat 1 me 0, për letonezët me golin e shënuar nga Bruno Tavares.
Skuadrës së udhëhequr nga kryetrajneri, Zekirija Ramadani, me fondin e lojtarëve që ka, i mbetet të zbresë në fushën e blertë, e motivuar maksimalisht dhe me përkrahjen edhe të “intelektualëve”, ta përmbys këtë epërsi minimale të kundërshtarit nga Letonia dhe të rrugëtojë tutje në Ligën e Konferencës.
Ndeshja mes Dritës dhe Auda-s fillon në orën 20:00. Transmetohet drejtpërdrejt në RTK. /2LONLINE/