Drita ka shkëputur sot zinxhirin e radhitjes së fitoreve prej pesë sosh radhazi, pasi u ndal nga Liria, në një ballafaqim që përfundoi me rezultat të barabartë 1 me 1, ndeshje kjo e javës së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll, që u luajt në Gjilan. (stadiumi ndihmës).
Drita, e cila kishte barazuar edhe në ndeshjen e parë (0-0), sërish barazoi dhe kryetrajneri i skuadrës bardhekaltër, Akis Vavalis nuk e gjeti dot formulën për ta mposhtur Lirinë, një skuadër kjo që ia ndërpreu fitoret radhazi që i regjistroi skuadra gjilanase që nga xhiroja e gjashtë.
Në fakt, Drita ishte në avantazh që nga fillimi i ndeshjes, kur gjilanasit kaluan në epërsi me golin e Besnik Krasniqit në minutën e 3’, por se ishte Prins Tijueza i mysafirëve që barazoi në minutën e 73’, dhe përkundër përpjekjeve të të dyja skuadrave për fitore, rezultati 1: 1, ishte epilogu përfundimtar i këtij takimi.
Tani Drita ka 22 pikë, mban pozitën e dytë në tabelë me katër pikë më pak se lideri Ballkani. Që të dyja këto skuadra kanë nga një lojë më pak, pikërisht ballafaqimin mes tyre. /2LONLINE/