FC Drita ka mbajtur sot konferencën e parë për media për këtë edicion, para ndeshjes ndaj KF Feronikelit, nismë kjo që do të vazhdojë përgjatë gjithë kampionatit.
Në këtë konferencë u paraqitën kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu dhe drejtori sportiv, Valon Zymberi, të cilët folën për edicionin e ri të Superligës së Kosovës, 2021/2022.
Trajneri Nuhiu theksoi se tashmë me Dritën janë bashkuar futbollistë të dëshmuar në kampionat, të cilët komponojnë klubin dhe i japin frymë të re.
“Padiskutim futbollistët që kanë qenë pjesë e jona kanë bartur një peshë të rëndë të ekipit, kanë qenë shumë special për ekipin tonë, futbollistë të cilët kanë sjellë tituj dhe kanë qenë të rëndësishëm për ne. Në këtë edicion kemi vendosur të sjellim frymë të re, futbollistë të ri dhe kemi sjellë futbollistë mjaft cilësor, të dëshmuar në kampionat. Presim një Dritë ndryshe, pasi çdo futbollist ka cilësitë e veta. Mendoj se kemi sjellë potencial dhe na mbetet të marrim maksimumin nga secili futbollist për të marrë objektivat e synuara”, theksoi Nuhiu.
Trajneri Nuhiu shtoi se Drita ka ruajtur trungun e skuadrës, gjersa secila prurje e re do ketë kohë për t’u ambientuar.
“Në momentin që sjellë futbollistë të ri, ka vështirësitë e veta për t’u ambientuar, por ne e kemi ruajtur boshtin e ekipit dhe kur ke futbollistë cilësor pastaj sjellë edhe futbollistë të dëshmuar të kampionatit e ke shumë më të lehtë. E kanë dëshmuar ndeshjet në Evropë se ata janë të komponuar dhe dalëngadalë po ambientohen, sepse këta djemë kanë edhe më shumë për të dhënë dhe me kohë do të komponohen më tepër”, ka përfunduar Nuhiu.
I kënaqur me merkaton e verës është edhe drejtori spotiv, Valon Zymberi, i cili tha se Drita këtë vit vjen me gjeneratë dhe energji të re, për çka shpreson ta kenë bërë më të mirën.
“Mund ta quajmë si një reformim të klubit apo një tranzicion, sepse janë larguar lojtarë të cilët kanë qenë me vite të tëra në Dritë dhe ideja e klubit tonë ka qenë të sjellim frymë të re dhe lojtarë të ri në moshë, në mënyrë që të sjellim energji të re. Sigurisht që lojtarët që janë larguar nga Drita, kanë bartë barrën kryesore në Dritë, por që është një cikël që duhet të kalohet nga çdo sportist, prandaj klubi ka mendu që është moment kur duhet të ndryshohet. Gjatë këtij afati kalimtar jemi munduar që të gjithë ata emra dhe legjenda të klubit tonë, t’i zëvendësojmë me gjeneratë të re, dëshirë të re dhe shpresoj ta kemi bërë më të mirën. Mendoj se secili lojtar që është bashku me Dritën e ka rëndësinë e vetë dhe është vlerësu lartë nga ne dhe shtabi teknik. Po besoj e kemi kompletuar mozaikun dhe do të jetë një Dritë krejt tjetër nga vitet e kaluara”, ka thënë Zymberi.
Klubi jonë DRITA e nis edicionin e ri nesër, ku në shtëpi e pret KF Feronikelin, ndeshje kjo që do të zhvillohet në staiumin “Selami Osmani – Bezi”, ora 17:00.
Ndeshja do të zhvillohet me praninë e tifozëve, gjersa obligohet që secili t’i respektoj masat e Qeverisë së Kosovës për organizimet sportive, maskën mbrojtëse, distancën fizike, testin PCR negative jo më të vjetër se 72 orë ose të jenë të vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës anti-Covid. /2LONLINE.com/