Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 22-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.
Skuadra gjilanase FC Drita nuk ia arriti të nxjerrë rezultat pozitiv në ballafaqimin që pati para tifozëve të saj, pasi skuadra mysafire Ballkani shënoi fitore minimale, por të vlefshme për të qëndruar në krye të tabelës. (0 – 1).
Theophilus Solomon realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 70-të, pas asistimit të qendërmbrojtësit Bajram Jashanica.
Pas kësaj fitoreje Ballkani ka 45 pikë, derisa Drita mbetet në pozitën e tretë me 41 pikë.
Ndërsa, në ndeshjen tjetër, Llapi ka shënuar fitore ndaj Malishevën, me rezultat 3:0.
Përndryshe, skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani ndeshjen e kësaj jave e luan të dielën. Ballafaqohet si mysafire, me Prishtinën, një ndeshje kjo e rëndësishme, për të vazhduar të jetë pretendent për titull kampioni. /2LONLINE/