Pas një krize rezultatesh (barazimeve, tri sosh radhazi), FC Drita dalëngadalë po e gjen rrugën e fitoreve. Pas fitores bindëse (3:0) në xhiron e gjashtë kundër Prishtinës, sot skuadra gjilanase gjeti fitoren e radhës, kësaj here ndaj Feronikelit.
Siç dihet, sot janë zhvilluar edhe dy ndeshjet tjera të javës së shtatë të Superligës së Kosovës në futboll, ku skuadra gjilanase, Drita sërish gjen formulën e duhur për ta fituar ndeshjen dhe për t’i arkëtuar pikët e plota, edhe atë me fitore si skuadër mysafire duke e mundur Feronikelin ’74 (2:0), ndërkohë që ndeshja tjetër Prishtina – Dukagjini u mbyll pa fitues (2:2).
Përndryshe, ishin Blerim dhe Besnik Krasniqi që me golat e tyre bënë që Drita ta regjistrojë fitoren e tretë nga gjashtë xhiro të luajtura deri më tani (Drita ka një lojë më pak të zhvilluar), derisa portieri i skuadre bardh e kaltër, Smakiqi u përkujdes që porta e gjilanasve të mbetet edhe sot e paprekur, madje duke ndalur edhe një penallti.
Ishte minuta e 34 kur Drita përmes Blerim Krasniqit erdhi në epërsi, ndërsa për rezultatin 2 me 0, që ishte edhe rezultat përfundimtar, u përkujdes Besnik Krasniqi që shënoi nga pika e bardhë, në minutë ne 77 të takimit.
Tani Drita ka 12 pikë që e pozicionojnë në vendin e tretë, ndërkohë që rikujtojmë se e ka edhe një takim të pazhvilluar kundër Ballkanit, ndeshje kjo e javës së tretë. /2LONLINE/