“Për hir të korrektësisë për të informuar drejt qytetarët e Komunës së Gjilanit si dhe publikut të gjerë dhe pasi kam qenë e angazhuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit z. Haziri për të ndërmarrë veprime për realizimin e të gjitha aktiviteteve të ndërlidhura me Projektin Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza po ju drejtohem edhe të gjithë deputetëve të Parlamentit të Kosovës duke kërkuar mirëkuptimin e tyre të mos e polarizojnë dhe politizojnë një projekt kaq të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit”, ka nisur sqarimin e saj, Valbona Tahiri, drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik.
Më tej në këtë sqarim thuhet:
“Për mua si drejtoreshë që ushtroj këtë funksion si pjesëtare e shoqërisë civile mos arritja e kuorumit për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare është absurdi më i madh qe ka mundur të ndodh ndonjëherë në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se ne duhet të jemi të përgjegjshëm që ti dalim zot punëve tona dhe secili ta kryej punën e vet me vullnet e profesionalizëm sepse ne paguhemi nga qytetarët pra, taksapaguesit të cilët ju kanë besuar votën për të përfaqësuar interesat e tyre. Konsideroj se ky është momenti i fundit që ti lini anash inatet, teket e kapricat sepse në këtë mënyrë po dëmtohen interesat e qytetarëve si dhe reputacioni i institucioneve tona dhe shtetit.
Për të mos lejuar dezinformimin e qytetarëve po e ndiej për obligim të ju ofroj informata të sakta në lidhje me projektin në fjalë duke shpresuar se do të jeni të vëmendshëm dhe të veproni drejt në seancat e radhës të parlamentit të R.Kosovës.
Komuna e Gjilanit ka investuar energji, kohë dhe mund për të bindur Qeverinë e Kosovës e cila pastaj ka kërkuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Investive Evropiane (BIE) që të mbështesin ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza (ITUZ) dhe infrastrukturës së ndërlidhur të kanalizimit në Gjilan.
Gjatë vitit 2018, Bankat angazhuan Posch & Partners Consulting Engineers, kompani austriake për të rishikuar apo përditësuar Studimin ekzistues të Fizibilitetit të realizuar në Prill të vitit 2013 nga WYG International. Qëllimi ishte të bëhej plotësimi i SF origjinal me konstatime të reja që parimisht informojnë për çdo ndryshim material në projekt dhe kosto si dhe te behej përditësimi i të dhënave fillestare dhe validimin e zgjidhjeve teknike.
Procesi i rishikimit të studimit është realizuar me kohë dhe si rrjedhoj ka rezultuar me një Program të Investimeve Parësore (PIP). Ky projekt dihet me aktivitetet e projektimit dhe ndërtimit lidhur me PIP-in e propozuar që përkrahet nga BERZH dhe BIE, i cili do të zbatohet nga viti 2019 deri në 2022, si dhe me operacionet përkatëse.
Projekti ITUZ përfshinë:
➔ Ndërtimi i një Fabrike për trajtimin e ujërave të zeza;
➔ Grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza nga zona urbane e Gjilanit dhe Velekinca, si dhe fshatrat Malishevë, Koretishtë, Shillovë dhe Pasjak.
Bazuar në Studimin e fizibilitetit blerja e tokës kap vlerën prej gjithësej 440,000 Euro (360,000 Euro blerja e tokës dhe kompensimi 80,000 Euro) . Këto informata mund ti gjeni në dokumentin “Gjilan shtojca teknike përfshirë shpalosjet Mjedisore dhe Sociale, të datës 25 janar 2019 i bërë publik në webfaqe të Komunës së Gjilanit (shih linkun), https://kk.rks-gov.net/gjilan/gjilani/impianti-per-trajtimin-e-ujerave-te-zeza/?page=2019
Pas realizimit të studimit ka filluar procesi i negocijimit të marrëveshjes për financim të këtij projekti nga një ekip i gjerë i përzgjedhur me Vendim të ish- ministrit të MF z. Hamza me përfaqësues relevant nga niveli qendror (ministritë relevante) si dhe Komuna e Gjilanit dhe KR “Hidromorava” .
Procesi i negocijimit ka rezultuar i suksesshëm dhe më pas me 9 Maj 2019 në Sarajevë është nënshkruar Marrëveshja për financim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe BERZH. Më vonë ka pasuar Marrëveshja tri-palëshe ndërmjet BERZH, Komuna e Gjilanit dhe KR “Hidromorava” të cilët kanë marrë për obligim zbatimin e këtij projekti sipas planit dinamik kohor të dakorduar.
Me qëllim të realizimit të zotimeve, Komuna e Gjilanit ka themeluar Njësinë për Implementin e Projektit (NJIP) bazuar në Rregulloren MF-No.05/2017 për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores MF-Nr.06/2016 për administrimin e fondeve të huamarrjes, e plotësuar dhe ndryshuar me rregulloren MF-Nr 03/2017, si dhe kanë vazhduar aktivitetet duke avancuar projektin sipas planit dinamik kohor. Ka përfunduar edhe procesi i vlerësimit për angazhimin e kompanisë konsulente (ka mbetur vetëm pjesa formale e nënshkrimit te saj) me kompaninë konsulente e cila do t’i ofroj asistencë teknike NJIP gjatë realizmit te këtij projekti. Gjithashtu, në KK janë përmbush të gjitha kërkesat për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e impiantit në harmoni me të gjitha procedurat ligjore.
Komuna e Gjilanit pas angazhimeve serioze për të gjetur zgjidhje afatë gjate për të zgjidh problemin kronik siq është trajtimi i ujërave të zeza me profesionalizëm të lartë, me punë e përkushtim ka arritur t’I përmbush të gjitha kërkesat dhe ta bind qeverinë e Kosovës dhe BERZH -in për këtë projekt sepse ka qenë sfidë për të kthyer besimin dhe vëmendjen e institucioneve financiare ndërkombëtare për të na mbështet financiarisht në zgjidhjen e këtij problemi i cili mbetet prioritet kyç i komunës së Gjilanit.
Ky projekt do të ndikoj në zhvillim ekonomik, tërheqjen e investimeve si dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të komunës së Gjilanit.
Për hir të transparencës, qytetarët e Komunës së Gjilanit duhet ta dinë se Komuna e Gjilanit në partneritet me të gjithë akterët e involvuar i ka kryer me sukses të gjitha detyrat për të shtyrë përpara realizimin e projektit. Tani fati i këtij projekti mbetet në duart e deputetëve të Parlamentit të Kosovës për ta ratifikuar Marrëveshjen dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë përgjegjës për dështim të projektit janë ata të cilën nuk votojnë në favor të projektit.
Jeni të mirëpritur të na kontaktoni nëse keni nevojë për informata shtesë dhe ju bëj apel që energjinë ta fokusoni në veprime me interes të qytetarëve sepse ky është roli i juaj në parlament”, përfundon sqarimi i Valbona Tahirit, drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik. Lidhur me projektit Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza