Drejtoria Komunale e Arsimit ka nderuar me mirënjohje Shtabin teknik, basketbollistet e Gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti”. Shoqatën e Pedagogëve Sportiv të Gjilanit dhe drejtorinë e shkollës, për të arriturat e sivjetme në garat e basketbollit, ku nxënëset e gjimnazit janë shpallur kampione të Kosovës për vitin 2021.
Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, duke përgëzuar vashat për suksesin e arritur ka thënë se jo vetëm në basketboll, por edhe në sporte të tjera dhe në mësime, kjo shkollë dallohet jo vetëm në komunë e rajon, por edhe në nivel vendi. Sipas Mustafës, kjo është hera e dytë që këto vasha shpallen kampione, andaj ai ka thënë se pa dyshim prej tyre priten suksese edhe në të ardhmen.
Majlinda Marku – Hoxha, ushtruese e detyrës së drejtoreshës për Arsim në Gjilan, ka thënë se është ky në sukses i madh i këtyre nxënësve që janë për çdo lëvdatë dhe e ka krahasuar këtë sukses me një të tillë po të kishte ndodhur në SHBA, ku për këto nxënëse i tërë shkollimi i mëtejmë do të ishte pa pagesë, ngase vlera e këtij suksesi është e madhe.
“Sporti t’i hap të gjithë dyert sa i përket shkollimit të mëtejmë”, ka thënë Majlinda Marku – Hoxha, që ka uruar që edhe në Kosovë të vlerësohen nxënësit e tillë. Ajo u ka uruar nxënësve fituese shëndet e suksese.
Ajo ka uruar edhe mësimdhënësit për punën e bërë, ngase gjimnazi gjithnjë ka dhënë sportistë të mirë dhe suksese të mëdha ka arritur.
Selami Haziri, mësimdhënës i kulturës fizike dhe sportit, i cili njëherit ishte edhe trajner i këtij ekipi, ka thënë se përbërja e ekipit ishte prej 12 nxënësve, prej të cilave, tri janë maturante dhe të tjerat nga klasat e dhjeta dhe të njëmbëdhjeta, që është një dëshmi se edhe për vitin tjetër kjo do të jetë një përbërje e qëndrueshme dhe se sërish do të sjellën trofe.
“Nxënëset ishin të disiplinuara, ishin aktive, por ne falënderojmë edhe drejtorinë e shkollës, por edhe kryetarin e pedagogëve të kulturës fizike, Afrim Selimin, i cili pa përtesë gjithnjë u ka dalë në përkrahje”, ka thënë Haziri, derisa Reshat Syla, mësimdhënës i kulturës fizike dhe sportit, ka thënë se është kënaqësi të punosh me këta nxënës, të cilët janë plot edukatë. “Ju edhe shkollës i jeni hijeshi, mbani këtë vullnet e këtë punë”, porositi Syla.
Në emër të nxënësve ka falënderuar kapitenia Anila Selmani, kurse drejtoria e Arsimit i ka nderuar të gjithë me mirënjohje trajnerët, basketbollistet, shoqatën e pedagogëve sportivë, Gjimnazin “Xhavit Ahmeti”, sikurse që edhe që gjimnazi ka ndarë mirënjohje për drejtorinë, e cila po i përkrah shkollat në aktivitetet e tyre. /2LONLINE/