“Gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti në Komunën e Gjilanit, përkatësisht në Qendrën për Regjistrimin e Bizneseve, u regjistruan 285 biznese të reja, ku janë punësuar 569 punëtorë”, ka thënë Enver Shabani, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik.
Ai tregon se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve ka shënuar rritje.
“Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti janë regjistruar 285 biznese, ku janë punësuar 569 punëtorë, kurse në periudhën paraprake të vitit 2023 ishin të punësuar 507 sosh”, tha drejtori Shabani.
Më tej ai tregoi se sa i përket numrit të bizneseve, prijnë ato shërbyese që janë 143, tregtare 80, prodhuese 39 dhe 23 ishin ndërtimore.
Sipas drejtorit Shabani, bizneset e regjistruara me pronarë femra në periudhën janar-qershor të këtij viti janë 70, ndërsa me pronarë meshkuj janë 215.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik, tha se duke u bazuar në statistikat, shihet se ka një trend pozitiv të zhvillimit ekonomik lokal. /2LONLINE/