/Me rastin e 28-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Gjilan/
Njëra ndër planet e gjenocidit të pushtetit serb kundër popullit shqiptar në Kosovë ishte edhe plani i shkatërrimit të arsimit shqip, shkollës, kulturës, historisë e shkencës në përgjithësi.
Shkruan: Nazmi Musa
Kreu më i lartë shtetëror, politik e ushtarako-policor, duke ndjekur një politikë antishqiptare që mbështetej në memorandumet e Garashaninit ,Vasa Qubrilloviqit, të Akademisë së shkencave dhe Arteve të Serbisë, përmes Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, që ua kishte lënë duart e lira të veprimit, kishte vënë nën ndjekje e hetime inteligjencën shqiptare, shkollën shqipe dhe institucionet tjera të kulturës, artit e shkencës shqiptare.
Proceset e montuara politike, arrestimet, torturat nga më të tmerrshmet në burgjet serbe, dënimet me kohëzgjatje deri në 25 vjet burgim, vrasjet, përjashtimet nga puna, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mësimdhënies, helmimet e nxënësve e deri të lufta e fundit që kishte qëllim zhdukjen totale të një populli, ishin ballafaqimet e përditshme të inteligjencës shqiptare në Kosovë: nxënës ,studentë, profesorë, pa përjashtim moshe e gjinie.
Jeta dhe vdekja e popullit shqiptar, në radhë të parë intelektualëve, ecnin pranë njëra tjetrës, krah për krah dhe që të dyja kushtëzoheshin nga thika, kërbaçi e plumbi serb. Por, pavarësisht nga shkalla e dhunës dhe represionit të pushtetit serb që ushtrohej ndaj nxënësve, studentëve, arsimtarëve, profesorëve, falë organizimit të mirë të LDK-së e udhëhequr nga Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, rruga e arsimit dhe edukimit të fëmijëve tanë nuk u ndërpre asnjëherë, as në vitet 1990-1999.
Nga bankat shkollore ,nën masat e shtrëngimeve të rrepta të terrorit serb, dolën shumë intelektualë shqiptarë ,të të gjitha profileve të ndryshme të cilët jo vetëm se i dhanë krah rritës ekonomisë, industrisë, shkencës dhe kulturës kombit tonë ,po edhe u bënë pishtarë të lirisë dhe ranë dëshmorë për lirinë e këtij populli.
Prandaj, nuk ekziston asnjë arsye, as një kundër argument që mohon veprën e ish kryetarit të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në asnjë periudhë të saj e as sot, pavarësisht kundërshtimeve dhe garave të partive politike dhe shantazheve nga me te ndryshme ndaj udhëheqjes së kësaj partie dhe aktivisteve të saj.