Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Arifi, dhe zyrtarë nga kjo drejtori, kanë pritur në takim një grup donatorësh potencial gjerman.
Në këtë takim është diskutuar lidhur me investimet në ndërtimin e serave, fabrikës për përpunimin e produkteve bujqësore, po ashtu ndërtimin e teknologjisë së lartë të laboratorit, që ka mundësi të bëhen nga këta donatorë në Komunën e Kamenicës.
Nënkryetari Jakupi tha se komuna është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë investitorët të cilët janë të interesuar për investime.
“Falendërojmë këtë ekipë profesionale për vizitën që e bënë në komunë. Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me të gjithë investitorët të cilët për qëllim kanë investimet në komunën tonë”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Naim Arifi, tha se takimet e tilla janë të mirëseardhura çdoherë.
“Ne si drejtori angazhohemi që në vazhdimësi të jemi në shërbim të fermerëve që atyre t’iu sigurojmë përveç prodhimit edhe shitjen e produkteve tyre në tregjet e Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë angazhimi ynë do të vazhdojë që në komunën tonë të sjellim donatorë e investitorë të huaj, të cilët me investimet e tyre do të krijojnë vende të reja të punës”, ka thënë ai.
Pas këtij takimi përfaqësuesit komunal së bashku me këta donatorë, kanë vizituar vendet potenciale për investime. /2LONLINE.com/