“Në një operacion të suksesshëm të kontrollit doganor, Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi të padeklaruar prej 1 kg ari , me pastërti prej 14 karatësh”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Më tej bëhet e ditur se gjatë kontrollit të udhëtarëve, imazhet e skenerëve treguan indikacione për mallra të padeklaruara brenda një çante. Pas hapjes së çantës, u zbuluan mallrat e fshehura së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëronte mallrat.
Pas një vlerësimi të hollësishëm nga Dogana e Kosovës, u konstatua se vlera reale e arit të ndaluar është 59,294.12 €.
Rasti është duke u trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve të Doganës së Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit, për të analizuar të gjitha detajet dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj individëve përgjegjës.
“Përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit me institucionet relevante, Dogana e Kosovës luan një rol kyç në mbrojtjen e integritetit të kufijve dhe tregut të Kosovës”, thuhet në njoftimin e doganës. /2LONLINE/