Ishte nder i veçantë të jem në vizitë te profesor, Demir Krasniqi. Ai me prejardhje është nga fshati Tygjec i Dardanës.
Nga: Arbër Ismajli
Rrjedh prej një familje intelektuale, e cila familje shquhet me njerëz të mëdhenj të cilët i kanë shërbyer kohës me veprat dhe jehonën e tyre intelektuale e patriotike.
Demir Krasniqi, fillet e para të muzikës i mori nga mësuesi Rexhep Bunjaku, atëherë kur ishte nxënës i fillores. Qysh herët, ai zuri vendin e parë në garat e manifestimit rajonal Mikrofoni është i Juaji”.
U angazhua me vite të tëra si profesor i muzikës, duke lënë gjurmë nëpër shumë shkolla. Poashtu, ishte një këngëtar e tekstshkrues shumë i mirë i këngëve të ndryshme muzikore, të cilat lanë jehonë të përhershme në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.
Demir Krasniqi, ka bërë mbi 1500 këngë e valle origjinale, të kompozuara nga vetë ai. Poashtu, ka grumbulluar mbi 4000 këngë të ndryshme, të grumbulluara nga folklori muzikor. Ai është marrë edhe me gazetari, ku ka qenë njohës i shkëlqyeshëm i kësaj fushe, duke dhënë kontribut të çmuar në avansimin e vlerave gazetareske.
Disa nga veprat e botuara të tij janë: Mallëngjima e ushtima, Prishtinë, 1993, qamili i vogël-zë që nuk shuhet (monografi), Prishtinë, 1995, gjakon Kosova, Gjilan 1998, Pireva, Gjilan 2002, Zeqir Maroca,Gjilan 2002, Këngë krismash lirie I, Gjilan, 2003, Këngë krismash lirie II, Prishtinë, 2003, Familja Kurti nga Tygjeci (monografi), Prishtinë 2004, Shtojzovallet e Gollakut, ETMM i Kosovës, Prishtinë, 2005, Kushtrim lirie, SH.B. “Kurora”, Gjilan 2005, Liman Shahiqi-trimi i Gollakut, Prishtinë, 2005, Kroi i këngës-Gjilan, 2006, Qamili i Vogël: Këngë përjetësie (mblodhi, redaktoi dhe deshifroi me nota Demir Krasniqi), nëntor 2006, Krenaria e Gollakut ( Me rastin e 40-vjetorit të karrierës dhe krijimtarisë muzikore) – Gjilan, 2008, Diell Lirie, Gjilan, 2008 etj.
Ai i dhuroi vendit tonë qindra e mijëra këngë burimore shqiptare, i dhuroi vendit tonë libra të karakterit pedagogjik, i cili e shkriu tërë potencialin e tij, në zhvillimin e shoqërisë, dhe, mbajtjen gjallë të muzikës shqipe.
Doajeni i muzikës shqipe, Demir Krasniqi, do të jetë përgjithmonë emër i veçantë në zemrën e çdo shqiptari. Ai do të jetë frymëzimi më i madh i atyre që krijojnë vepra të pastërta, të cilat do të bëjnë jehonë ndër shekuj. Demir Krasniqit, do t’i kemi borxh të pashlyer përgjatë gjithë jetës. /2LONLINE.com/