Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Vitisë edhe për vitin 2016 cilësohet të jetë ndër drejtoritë më të suksesshme në Kosovë.
Sipas Raportit të Performancës së Komunave 2016 (SMPK) të publikuar ditë më pare nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal përformanca e përgjithshme e komunave të Kosovës në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është 72.63%, por DKRS në Viti ka arritur të këtë një performancë edhe më të mirë edhe atë me 100%.
Milot Lala, Drejtor i DKRS-së në Viti, tha se falë mbështetjes së kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe të punës së palodhshme të zyrtarëve të DRKS-së dhe akterëve të tjerë kjo drejtori ka arritur të realizoj në përpikëri planifikimin.
“Kjo arritje është meritë e përbashkët. Falë mbështetjes së kryetarit Haliti dhe punës së palodhshme të zyrtarëve pranë DKRS-së por edhe të bashkëpunimit me akterët e tjerë kemi arritur të realizojmë në përpikëri planifikimin si dhe të shënojmë rezultate të larta për të cilat na kanë lakmi edhe shumë drejtori të tjera në Kosovë. Kjo performancë e mirë e DKRS-së në Viti do të na jep shtytje që të vazhdojmë me aktivitete të cilat janë në interes të shoqërisë sonë”, u shpreh drejtori Lala.
Përndryshe Sipas “Mozaikut të Kosovës” projekt i përkrahur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, UNDP dhe USAID, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Vitisë, ishte renditur e para në nivel nacional për aktivitetet kulturore dhe sportive, sipas anketave të qytetarëve për vitin 2015.