Komuna e Vitisë edhe gjatë këtij viti ka vazhduar më përkushtimin e saj që të përmirësojë edhe më tej gjendjen në arsim në këtë komunë, thonë drejtues të Drejtorisë komunale për Arsim (DKA).
Drejtoresha për Arsim, Fatbardha Emini së bashku me zyrtarët e DKA-së kanë vizituar Shkollën e Mesme Mikse “Kongresi i Manastirit” në Pozheran, pasi që kjo shkollë është furnizuar me 18 tabela moderne , 15 llaptop, 4 projektor, printer-kopje, dollap për kabinete dhe është bërë me bibliotekë.
“ Komuna jonë po vazhdon të punoj që të krijoj kushte sa më të mira në shkollat e Komunës së Vitisë, një furnizim i shkollave me pajisje të teknologjisë informative, konkretisht të digjitalizimit të shkollave e kemi pasur edhe vitin e shkuar në kuadër të një bashkëpunimi të komunës sonë me Fondacionin Kosovë- Luksemburg. Megjithatë ne do të vazhdojmë me projekte të tjerë të cilat do të ndikojnë pozitivisht në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, u shpreh Emini.
Përndryshe bëhet me dije se një furnizim i shkollave me mjete të tilla po ndodh edhe në lokalitet e tjera të kësaj komune.