Shtabi Komunal Emergjent ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën pjesëmarrës ishin: Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, koordinatori i Shtabit Emergjent, Hysen Jerliu, Komandanti i Stacionit Policor, Florim Klaiqi, u.d Drejtori i QKMF-së, Besim Beqiraj, si dhe anëtarët e tjerë të shtabit.
Mbledhjen e hapi i pari i komunës, Qëndron Kastrati, i cili prezantoi rendin e ditës dhe pikat për shqyrtim.
Gjatë takimit u diskutua lidhur me situatën dhe gjendjen aktuale në Komunën e Kamenicës, gjendjen aktuale në shkolla, si dhe masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit.
Kryetari Kastrati, tha se në mbledhjen e Shtabit Emergjent u diskutua lidhur me situatën me pandemi në përgjithësi, duke përfshirë shkollat dhe institucionet tjera.
“Sot ftova në takim anëtarët e shtabit emergjent komunal për menaxhim të pandemisë. Diskutuam lidhur me situatën në përgjithësi, përfshirë këtu edhe shkollat e institucionet tjera”, tha Kastrati.
Gjithashtu ai theksoi se ditët në vijim do të shtohet inspektimi dhe monitorimi në terren.
“Bashkarisht u dakorduam që ditëve në vijim të shtojmë inspektimet e monitorimet, me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit SARS-CoV-2”, shtoi Kastrati. /2LONLINE.com/