Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Valdrin Krasniqi, ka pritur në takim Drejtoreshën Ekzekutive të Organizatës Joqeveritare “Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA”, Leonida Molliqaj.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për thellimin e bashkëpunimit për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe institucioneve mbi Konventën e Stambollit për Luftimin dhe Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave.
Drejtori Krasniqi, me këtë rast, tha se Sekretariati i KPK-së është i gatshëm për bashkëpunim, me qëllim jo vetëm të ngritjes së vetëdijes, por edhe të edukimit për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Në anën tjetër, Drejtoresha Molliqaj, në këtë takim prezantoi projektin e mbështetur nga Këshilli i Evropës, i quajtur “Fushatë vetëdijesimi mbi Konventën e Stambollit”, me ç’rast kërkoi që broshura e përgatitur në kuadër të këtij projekti e cila përmban informacione mbi përgjegjësitë që rrjedhin nga Konventa e Stambollit për prokuroritë, gjykatat dhe Policinë e Kosovës, të shpërndahet tek të gjithë prokurorët, ku edhe iu premtua që kjo broshurë do të shpërndahet sipas kërkesë së saj.
Të dy bashkëbiseduesit shfrytëzuan këtë takim për shkëmbimin edhe të ideve të tjera që ndërlidhen me fushën e luftimit dhe parandalimit të dhunës në baza gjinore. /2LONLINE/