Në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të FSK-së, në Ferizaj, sot u mbajt ceremonia e diplomimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, gjenerata e parë për vitin 2018.
Në këtë ceremoni ishin prezent: kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Conelli, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonja Colleen Hyland, drejtori i NALT-it, gjenerali Ralf Hofmann, zëvendës komandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Janos Csombok, atashe ushtarakë si dhe oficerë, nënoficerë dhe familjarë të rekrutëve.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i uroi rekrutët e rinj të FSK-së nga radhët e komunitetit jo shumicë për përfundimin me sukses të trajnimit bazik duke iu dëshiruar fillim të mbarë, shërbim dhe karrierë të suksesshme në FSK në shërbim të vendit. Kryeministri Haradinaj gjithashtu, i përgëzoi edhe familjet e rekrutëve të rinj: ,, Ju uroj juve dhe familjet tuaja për zgjedhjen që keni bërë, duke u përcaktuar që t’i shërbeni vendit në të mirë të zhvillimit, paqes dhe prosperitetit të qytetarëve. Qeveria jonë është e vendosur për zhvillimin e përbashkët, integrimin e të gjithëve për të kontribuar bashkërisht për ndërtimin e paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe me gjerë’’.
Ndërsa, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, duke iu drejtuar të pranishmëve tha: “Kam nderin dhe privilegjin që në këtë ceremoni, si ministër i FSK-së, t’ju uroj diplomimin e rekrutëve nga komuniteti jo shumicë. Ceremonia e sotme na gëzon shumë, sepse dëshmon se FSK-ja është bërë forcë e besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, forcë shumetnike, e hapur për të gjithë dhe në shërbim të të gjithëve”.
Ndërsa duke iu drejtuar rekrutëve të sapo diplomuar, ministri Berisha tha:” Ky angazhim dëshmon se ju si qytetarë të shtetit të Kosovës keni bërë zgjidhjen e duhur, kur jeni përcaktuar për të shërbyer në FSK, si strukturë e të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike, race apo gjinie. Njëri nga prioritetet tona është edhe integrimi i komuniteteve jo shumicë në strukturën e FSK-së. Bazuar në Strategjinë për integrim të komuniteteve dhe në këtë angazhim, aktualisht FSK-ja e ka tejkaluar kuotën prej 10% të përfshirjes së komunitetit jo shumicë. FSK-ja për disa vite me radhë është vlerësuar nga qytetarët si institucioni më i besueshëm i vendit, prandaj është detyrë e juaja dhe jona për ta bërë FSK-në, edhe në të ardhmen, forcë kompakte, shumetnike dhe të besueshme”.
Në fund, ministri Berisha, duke i uruar rekrutët dhe falënderuar familjarët për inkurajimin e fëmijëve të tyre, që të bëhen pjesëtarë të FSK-së, premtoi avancimin e shkollave dhe ngritjen e standardeve të tyre: “Do të punojmë në avancimin e shkollave, trajnimeve, kurseve për komunitetet jo shumicë, që të arrijnë standardet e parapara në ngritjet profesionale që do të ju mundësojnë marrjen e përgjegjësive edhe më të mëdha gjatë misionit tuaj fisnik” e përmbylli fjalën e tij, ministri Berisha.
Në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të FSK-së, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, foli edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Colleen Hylland e cila i uroi rekrutët e rinj për përfundimin me sukses të trajnimit bazik si dhe i përgëzoi ata për kurajën e treguar ndërsa familjarët e rekrutëve për mbështetje dhe inkurajim, duke shtuar: ,, Sot fillon rrugëtimi juaj. Ju i bashkoheni një organizate krenare për të ecur në gjurmët e hapave të të gjithë pjesëtarëve të FSK-së që kanë diplomuar para jush. E keni fituar të drejtën për ta veshur këtë uniformë. Shpresoj që secili nga ju do ta bartni atë me ndjenjë krenarie për vete dhe për kolegët tuaj në shërbim. Ju përgëzoj për punën e vështirë! Ju përgëzoj për sakrificën tuaj! Ju falënderoj për përkushtimin tuaj për t’i mbrojtur, për t’u kujdesur dhe për t’ju shërbyer bashkëqytetarëve tuaj’’. Gjithashtu, zonja Hylland konfirmoi edhe një herë mbështetjen për FSK-në: ,,E keni respektin dhe admirimin tim dhe të kolegëve të mi. FSK-ja do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fortë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë”.
Në fund, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave. Ato iu ndanë fillimisht rekrutëve të dalluar dhe më pas për të gjithë 34 rekrutët e FSK-së, gjenerata 01-2018, të cilët përfunduan trajnimin bazik, nëntë javorë, që u zhvillua nga data 16 janar deri më 16 mars 2018.
Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot, iu bashkuan edhe 34 rekrutë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, dhe me këtë numri i pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve ka arritur në 276 pjesëtarë ose 11.10%. Ndërsa, nga komuniteti serb deri më tani janë rekrutuar 130 pjesëtarë ose 5.28%, nga i gjithë territori i Kosovës.
Në fund rekrutët e rinj bënë Betimin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe nga dita e hënë do të fillojnë shërbimin në të gjitha njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që së bashku me kolegët, të kontribuojnë në realizimin e misionit të FSK-së dhe avancimin e saj si institucion në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.