Në ambientet e kazermës “Adem Jashari”, sot u mbajt ceremonia ushtarake e diplomimit të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së të gjeneratës së studimeve gjatë periudhës 2016-2020.
Në ceremoninë e organizuar me pjesëmarrje të kufizuara për shkak të masave kundër COVID-19, morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ish-kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, Drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) gjeneral brigade Frank Best, U.d. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Faruk Geci, stafi i lartë ushtarak dhe civil i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, atashe ushtarakë të vendeve partnere, oficerë të NALT-it, këshilltarët ushtarak bilateral, si dhe familjarë të kadetëve të diplomuar.
Pas nderimit të flamurit, me fjalë përshëndetëse, të pranishmëve iu drejtua, nikoqirja e ceremonisë, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), komandë brenda së cilës vepron edhe QSU, gjeneral brigade Irfete Spahiu.Gjeneral Spahiu pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, u rikujtoi kadetëve rrugëtimin e përbashkët me të gjitha strukturat e komandës që udhëheq për të realizuar arritjen e standardeve më të larta profesionale dhe akademike me programin tejet sfidues për përgatitje psikike, fizike, profesionale dhe intelektuale.
Ajo, në mesazhin e urimit shprehu besimin për sukseset e kadetëve edhe në vazhdim të karrierës së tyre si oficerë ushtarak, gjithnjë me moton “ E ardhmja fillon këtu“.
“Po bëhen më shumë se dy dekada nga koha kur populli i këtij vendi u çlirua dhe më shumë se dy dekada kur unë vendosa të bëhem pjesë e ushtrisë, por ajo çka nuk ndryshon asnjëherë te një ushtarak është për të kontribuar për atdhe dhe jo vetëm në kohë lufte por edhe paqe.” tha ndër të tjera ajo.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, në mesazhin e tij drejtuar kadetëve të diplomuar, i inkurajoi të qëndrojnë konsistentë në realizimin e synimeve me frymën dhe shpirtin luftarak gjithmonë duke ruajtur prestigjin e FSK-së dhe vlerat themelore të ushtarakut, si Detyrën, Nderin dhe Atdheun.
“Detyra, Nderi dhe Atdheu janë vlerat që do t’ju vendosin nga kjo ditë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim, vlera këto që janë tashmë të ngulitura në zemrat tuaja”, tha ndër të tjera gjeneral Rama.
Ai gjithashtu, shprehu falënderimin për partnerët tanë të cilët me mbështetjen e madhe mundësua zhvillimin dhe avancimin e QSU-së me programe të akredituara në gjuhën angleze sipas standardeve më të avancuara të vendeve partnere, anëtare të NATO-s, për çka edhe kanë ofertën e hapur për të sjellë kandidatë të tyre për studime në Qendrën tonë.
Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, në adresimin e tij para të pranishmëve, iu drejtua kadetëve të diplomuar duke i theksuar me emra të përveçëm. “Jo pa qëllim po I theksoj emrat tuaj. Dua këta emra t’i dëgjoj çdo qytetarë dhe të kuptohet se pse ju jeni të veçantë dhe pse ky moment është i veçantë”, theksoi ministri Quni.
Si ish-ushtarak karriere, ministri Quni u rikujtoi kadetëve rrugëtimin me përplot sprova e sfida gjatë studimeve si testet e stërvitjet për qëndrueshmëri morale e kalitje fizike, përballja me kushtet e mbijetesës , marshimet e gjata e të mundimshme e deri te leksionet e provimet e shumta profesionale e akademike gjithnjë me të jetuar nën regjimin e rreptë të disiplinës ushtarake.
Duke shprehur besimin e plotë në suksesin dhe fitoren e garantuar të tyre në përmbushjen e misionit gjatë shërbimit si lider ushtarak, ai tha kjo do të arrihet nga ju gjithmonë sepse udhëhiqeni nga vlerat e shenjta të ushtarakut, Detyrës , Nderit dhe Atdheut”.
“Unë besoj se ju edhe më shumë do t’i forconi urat e miqësisë me SHBA-në dhe partnerët tjerë strategjikë. Falënderimi dhe mirënjohja është dhe do të jetë e përjetshme për NATO-n dhe miqtë tanë që në kohërat më të vështira n‘a qëndruan pranë. Prandaj përgatituni që të zbarkoni edhe jashtë vendit që me gatishmërinë tonë profesionale dhe morale t’ shërbejmë njerëzimit dhe paqes kudo që ka nevojë. Çdo kund dhe në çdo kohë barteni në vete dashurinë e Nënës Terezë, urtësinë e Presidentit Rugova dhe guximin , trimërinë dhe sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari.” tha ministri Quni.
Në fund , ai theksoi se, “synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO” dhe shprehu bindjen e plotë se “me kuadro të këtilla, pavarësisht sfidave gjeopolitike të çastit, e ardhmja euroatlantike e vendit është e sigurt”.
Ceremonia vazhdoi me ndarjen e diplomave për 15 kadetët e diplomuar nga ana e ministrit Quni, gjeneral Ramës dhe gjeneral Spahiut.
Në mesin e të diplomuarve ishte kadetja nga Republika e Shqipërisë Lirza Dollomaja e cila bazuar në rezultatet dhe performancën e dëshmuar, u dekorua edhe si “Kadetja më e dalluar” e gjeneratës 2020, ndërsa me motivacionin e njëjtë, u dekorua edhe “Instruktori më i dalluar” i QSU-së, toger Shpend Halimi.
Në emër të kadetëve të diplomuar me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti, kadetja Dollomaja e cila tha se me vendosmëri të madhe arritëm suksesin dhe se si oficerë do të jemi në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit kudo në botë.