Shkruan: Nexhat BUZUKU
Mësimdhënësit nuk duhet të rangohen në koeficientin e fundit të pagave! Mësimdhënësit duhet të jenë në koeficientin 9 ose 10, që të ketë vërtet arsimim cilësor. Pse të ketë deputeti pagë më të lartë se mësimdhënësi?! Nëse kjo ndodh këtu merr fund sistemi, edhe ashtu i lodhur, arsimor!
1.
Deputetët e Kuvendit të “popullit” marrin pagë 1500 euro në muaj, e me shtesa 2000 euro në muaj.
Një pensionist i moshës merr 80 euro në muaj.
Pensionistët kontribut pagues marrin prej 140 deri në 240 euro në muaj.
Merreni model presidentin e posazgjedhur të Amerikës, Donald Trump, i cili hoqi dorë nga paga e tij vjetore prej 400 mijë dollarësh, dhe paranoi vetëm 1 dollar pagë!
Duhet të vendosim një drejtësi në barazinë sociale, që dallimet në paga të mos jenë 5 me 1, e 10 me 1, sepse kështu po rrënohet e tashmja dhe e ardhmja sociale e shumicës së popullsisë
2.
Në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, thuhet se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit të tyre brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare, pastaj të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe komisionet e Kuvendit, mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës dhe për punën në trupa të tjerë jashtë veprimtarisë së rregullt.
Meqë, deputetët paskan gjithë këto benefite, atëherë t’u paguhet edhe koha e kaluar në gjumë!
3.
“Paga mesatare vjetore e deputetëve është rreth 23 mijë euro, që është një pagë dukshëm më e lartë sesa paga mesatare në Kosovë, e cila është 360 euro”.
Projektligji për pagat i miratuar nga Qeveria do të shkojë në Parlament. A do të votojnë deputetët këtë Projektligj që favorizon kastën politike dhe ata, pra deputetët, ndërsa lë krejt në fund ata që merren me edukimin dhe arsimin e këtij vendi – mësimdhënësit; ata që mbrojnë rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve të këtij vendi – Policisë së Kosovës…
Nëse e bëni këtë, vendi do të kthehet në një vend të analfabetizmit total!
Prandaj, duhet të reflektoni para se të votoni në Kuvend këtë Projektligj.
4.
Nëse mendoni se pagat e mësimdhënësve janë të larta apo të mjaftueshme, e keni gabim! E dini që mësimdhënësi një pjesë të parave të pagës duhet t’i shpenzojë për etikën e veshjes, pra veshmbathja e jo të dal para nxënësve e prindërve të tyre si palaço! E dini se mësimdhënësit kanë familje, se kanë edhe ata fëmijë e duhet t’i shkollojnë, etj.
Ju mund të thoni po testi PISA?!
Çfarë mendoni? Një vend i dalë nga lufta dhe depresioni, një vend ku institucionet e tij janë zaptuar prej vitesh nga tutkunët, injorantët, arrogantët, improvizuesit…, ku njerëzit që kanë cilësi dhe e duan punën janë ngulfatur nga ambiente të kontaminuara analfabetësh me diploma…
Nuk mund ta mohoni kurrë, edhe sikur të jeni krejt të kallaitur me fjalamani e zhargone për demokracinë, maksimën universale të teoreticientit, filozofit e apostullit të sociologjisë, Karl Marksit: “Baza ekonomike përcakton superstrukturën ideore, juridike – politike e të gjithë shoqërisë”.