Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXXII-
Ditë vere. Isha në kulmin e hulumtimeve mbi të bëmat e një të degraduari shoqëror. Ishte mish e lëkurë e njeri në aspektin biologjik. Në shkollë të mesme, shokët e gjeneratës e njohën si nxënës pak të mbyllur në vete por kjo ishte në fillim.
Reis Mirdita
Vetëm pas disa javësh filluan dyshimet dhe gatë katër viteve u pa myzevirllëku i tij dhe një grupi të formuar e të cilit i printe ai me gjithë një arsimtarë si kryeshef e njëherit edhe kujdestar klase.
Në të vërtetë, kësi raste nuk më interesonin enkas sepse nuk ishin pjesë e trevës dhe fenomeneve që hulumtoja. Të flas për këtë më shtyri personi për të cilin shokët e tij të klasës kishin bindjen dhe faktet se ishte spiun nga natyra dhe organizues i grupit të spiunëve.
Gjatë vitit të tretë, sëmuret rëndë por nuk mungon nga mësimi përveç ditëve kur shkonte në kontroll në spitalin e qytetit. Duke mos gjetur derman, i besohet një shoku të klasës së vet që e kisha fqinjë; aty, e katërta derë nga lindja e mëhallës.
Të nesërmen i sëmuri ynë nuk kishte shkua në shkollë. Trokiti në derë. Dola dhe e morra në shtëpi. Me dridhma më vuri në dije se një fallxhorë a hoxhë nga Dërveni, i kish thënë se i ka dy shejtanë në bark. I ka bë sihir një vajzë për inati se nuk e dashka dhe i rrodhën ca lot kur nisi të më lutet t’i ndihmoj.
Më tutje zbuloi se kishte lindur në fushë, duke mos pasur shteg tjetër, vet babi e kishte shti nën hijen e një shelgu lotues, degët e të cilit vareshin për tokë dhe i ndihmoi me sa diti gruas së vet që të lind djalin. “Shelgu lotues, sipas njerëzve, është shumë ograkli!!! Është kjo një mundësi më e sigurt se sihiri që jam sëmurë kështu!”
Shpjegimi im:
Unë nuk merrem as me fall, as me shërim, as me hajmalia. Por pasi je këtu e e shoh çke, do të them se ti nuk je i sëmurë as nga sihiri, as nga shejtanë e as nga lindja breg përroit në rrëzë të shelgut lotues.
Ti vuan nga vesvesja e dyshimi në vete dhe në çdo gjë të gjallë e të vdekur. Frika është armiku yt më i madh. Krejt do të kalojnë por ti duhet të luftosh së pari frikën. Je i ndyrë, në punë të ndyrë! Ja kjo të ka ndikuar keq në shëndetin tënd psikik. Është një lodhje momentale që merr disa javë e nganjëherë më shumë.
Të gjithë kalojnë aty; dikush më ashpër e dikush më lehtë. Sa për shejtanët, asnjë dyshim! Ata kanë të tjera detyra: mundohen të ndikojnë në njeriun për vepra të këqija dhe ta largojnë nga të mirat. Bindja apo mosbindja ndaj tyre, ka pasoja të tjera dhe s’kanë të bëjnë me sëmundje.
Ti merresh me myzevirllëk, kjo të torturon shpirtin se jeton në frikë konstante e nga ana tjetër, ti dëshiron të arrish në jetë! Dhe do të kesh sukses sepse ti nuk do të largohesh nga spiunimi! I ke mentorët e tillë.
Do të zhytesh në politikë dhe do të bëhesh plotësisht i pacipë. Kjo të pëlqen, kjo është natyra jote dhe askush nuk do të mund të ndal nga kjo katrahurë. Në fund, i turpëruar por përsëri krenar do jesh. Do të lavdërohesh me sukseset e tua.
***
Që të nesërmen, kishte nisur të më lavdëroj se të gjithë i qëllova por pa dhënë ndonjë detaj. E kishte lëshuar një rrenë duke thënë i këndova ca sheqerka të cilat duhej ti lëpinte për shtatë ditë me radhë dhe goja kështu u shërua.
Lexo edhe: Peripecitë për shërim nga ograku