Në emër të LDK-së, ne do të arsyetojmë këtë seancë të jashtëzakonshme për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, duke numëruar dëmet që i janë shkaktuar Kosovës dhe arsimit të lartë në arenën ndërkombëtare.
Nga: Valentina Bunjaku – Rexhepi
Në pjesën e parë, do të numërojmë vetëm disa nga dëmet e këtij përjashtimi, përgjegjësia e së cilës i takon direkt kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili nuk e kishte bindur Regjistrin Evropian pse e kishte shkarkuar krejt Bordin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke ia bërë njësoj sikur ia ka bërë Kuvendit të Kosovës, pa i raportuar për arsyet e shkarkimit.
Si rezultat i mosbindjes para Regjistrit Evropian, është vlerësuar si ndërhyrje politike në pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Në pjesën e dytë të fjalimit tonë, do të zbërthejmë krejt përgjegjësinë e këtij vendimi të kundërligjshëm dhe në fund, do të tregojmë hapat që duhet t’i ndjekim tash e tutje, pasi përjashtimi veçse ka ndodhur.
Dëmet e përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë:
1. Humbja e besueshmërisë së autoritetit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim jo vetëm brenda Kosovës para institucioneve arsimore publike dhe private, por sidomos në hapësirën evropiane e më gjerë;
2. Zhvleftësimi i mëtejshëm i rëndësisë sëdiplomave që fitohen në universitetet publike e kolegjet private, brenda e jashtë vendit;
3. Shkëmbimi i studentëve dhe profesorëve të universiteteve tona publike do të vështirësohet tejmase, duke kaluar më shumë në rrafshin e besimit personal të stafit akademik sesa në rrafshin institucional. Nëse para kësaj, universitetet kanë mundur të bëjnë shkëmbime e bashkëpunime më të lehta, më të shpejta dhe në mënyrë institucionale, tash e tutje, këto shkëmbime e bashkëpunime mund të bëhen në mënyra e iniciativa më shumë individuale apo përmes njohjeve personale a private, sesa asaj institucionale;
4. Rangimi i universiteteve tona si universitete pa cilësi, dëmton studentët e Kosovës, të cilët vazhdojnë studimet në nivele të ndryshme akademike, duke rritur edhe më shumë zhvleftësimin e diplomave para universiteteve ndërkombëtare;
5. Rënia e besimit ndërkombëtar të Kosovës, redukton gjasat për përfitime nëprojektet e ndryshme evropiane në fushën e arsimit, duke thelluar mosbesimin dhe rënien e përfitimeve të Kosovës në shumë programe e projekte të nevojshme ndërkombëtare në arsimin e lartë;
6. Humbja e përvojave, komunikimeve, lidhjeve dhe përfitimeve të AgjencisësëKosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë, duke ia zvogëluar mundësitë e shumta këtij agjencioni nga Regjistri Evropian;
7. Rritja e vështirësive për studentët kosovarë në universitete ndërkombëtare, sikur e kanë transmetuar mediet kosovare, edhe deklartën e drejtorit të Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë, duke ia komplikuar edhe më shumë procedurat e mëtutjeshme;
8. Pas rezultatit katastrofal të PISA-së në arsimin parauniversitar, tash është edhe përjashtimi katastrofal i AKA-së nga Regjistri Evropian, si ngjarja e dytë e dëmshme edhe për arsimin e lartë.
E kujt është përgjegjësia e përjashtimit nga Regjistri Evropian?
Përgjegjësia kryesore dhe e vetme duhet të kërkohet nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Është publikuar edhe vendimi në mediet kosovare se, vendimi për shkarkimin e Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisëështë bërë me urdhër të kryeministrit Haradinaj dhe gabimi i vetëm i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqit, është mosrefuzimi i këtij urdhëri dhe vendimi të paligjshëm.
Por në anën tjetër, duke e portretizuar kryeministrin Haradinaj si njeri me muskuj, si shumë të guximshëm, si njeri që ‘i frikësohen krejt ministrat për takime, orar e gjëra të tjera’, edhe ministrin e arsimit, mund ta kuptojmë, pasi që të gjithë ministrat i frikësohen stilit qeverisës të Haradinajt, dhe kështu, edhe ministri i arsimit, përkundër që e ka vërejtur se është vendim i pabazuar dhe antiligjor, nuk ka guxuar t’ia kthen mbrapsht kryeministrit.
Në aspektin ligjor, e kemi stërthënë ngado që kemi pasur paraqitje, se nëse shkarkohet krejt Bordi, apo numri i përcaktuar me ligj, ministri i MASHT-it, duhet t’i rapoton Kuvendit sipas Ligjit për Arsimit e Lartë. Ne këtë e thamë edhe në këtë Kuvend, por njëri koleg deputet është tallur dhe ka bërë gabim të rëndë, duke e vlerësuar reagimin tonë si hajgare.
Ndërsa sot, jemi dëshmitarë se sa kemi pasur të drejtëpër këtë reagim, qoftë si deputete, qoftë si grup parlamentar, qoftë si LDK.
Edhe njëherë le ta qartësojmë dhe të përgjigjemi aq thjesht: Kush e ka përgjegjësinë për vendimin e kundërligjshëm të shkarkimit të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë?
Personi që e ka dhënë urdhërin.
Kush e ka dhënë urdhërin? Kryeministri i Kosovës.
Pra, përgjegjësia për këtë gabim i takon direkt kryeministrit Haradinaj dhe ai duhet të jap përgjegjësi. Kjo përgjegjësi për dëme të tilla, nuk duhet të jetë vetëm me një kërkimfalje sepse nuk mjafton, por për dëmin e madh që ia ka shkaktuar shtyllës kryesore të një vendi, si arsimit të lartë, ai duhet moralisht, vetë të jap dorëheqje.
Çfarë duhet të bëjmë tani?
I kemi 90 ditë për ri-regjistrim në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe janë po aq pak ditë për ndryshime tëmëdha në qasjen ndaj Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Tash duhet t’i bëjmë këta hapa:
1. Duhet ta arsyetoni shkarkimin e Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, me fakte e dokumente, e jo retorikë!;
2. Më pas, nëse ka fakte e dokumente, po ashtu për shkelje ligjore, ose dyshime për keqpërdorime, duhet t’i adresoni edhe në prokurori, sepse nëse ka pasur shkelje ligjore, atëherë nuk duhet as Bordi i kaluar dhe as ky që do të zgjedhet tani, të shpëton pa marrë përgjegjësi në raport me shkallën e dëmit. Do të ishte mesazh shumë i keq për Bordin e Ri, që Bordi i vjetër ka bërë vendime të kundërligjshme sipas kryeministrit, dhe është amnistuar pa dhënë llogari para ligjit e drejtësisë. Shkeljet pa llogaridhënie, kanë shumë gjasa të përsëriten edhe nga Bordi i Ri;
3. Sipas Ligjit për Arsimit e Lartë në Republikën e Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duhet t’i raporton Kuvendit të Kosovës për këtë shkarkim dhe duhet urgjentisht ministri të raporton.
4. Arsyetimi me fakte e argumente, e jo fjalë, t’i dorëzohet si pako, Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
5. Të ndryshojnë rrënjësisht emrat e propozuar në Bordin e Ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të propozohen emrat e rinj, jo partiakë, profesionalë, njohës të arsimit të lartë brenda e jashtë vendit, e të mos zvarriten për kohë të gjatë. Sillni në Kuvend dhe secili prej nesh t’i voton me përgjegjësi të lartë, bazuar në përvojën dhe CV-në e tyre.
/Valentina Bunjaku-Rexhepi – deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës/