Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministri për Dialog, Zhvillim dhe Integrim i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, kanë përmbyllur diskutimet dy ditëshe në Bruksel me delegacionin e Serbisë, që për temë kanë pasur nivelin e implementimit të marrëveshjeve të deritanishme në procesin e dialogut.
Takimi me karakter teknik, i zhvilluar në praninë e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte për qëllim arritjen e një pajtueshmërie për gjendjen aktuale dhe ecurinë e implementimit ndër vite të marrëveshjeve që janë pjesë e dialogut.
Ky takim shërbeu për informim më të mirë të palëve rreth pikave të paimplementuara deri më sot.
Delegacioni i Republikës së Kosovës pret që përfundimi i këtij takimi të hapë një etapë të rëndësishme në proces të dialogut, atë të arritjes së qëllimit final në proces, normalizimin e plotë të marrëdhënieve përmes angazhimit në një dialog të drejtë e parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.
Zëvendëskryeministri Bislimi, në fund të takimeve, ia dorëzoi z.Lajçak një dosje me informata të dokumentuara rreth temave të diskutuara gjatë dy takimeve. /2LONLINE.com/