Një delegacion i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga Zëvendës Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Dr. Techn. Ilir Gjinolli, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin, Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa dhe profesoresha Dr. Sc. Shejnaze Gagica, po qëndrojnë në Graz të Austrisë në kuadër të projektit Erasmus+ GreenWB.
Gjatë ditës së parë të vizitës studimore, delegacioni ka diskutuar çështje të rëndësishme lidhur me Edukimin për Zhvillim të Qëndrueshëm në Arsimin e Lartë, Qëndrueshmërinë dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Gjithashtu, u trajtuan projekte dhe praktikat më të mira që lidhen me politikat e gjelbra dhe zhvillimin e kurrikulave në universitete.
Vizita, e cila zhvillohet gjatë gjithë javës, ka për qëllim zhvillimin e një strategjie pune për Laboratorin për Zhvillim të Qëndrueshëm në UKZ, si dhe funksionalizimin e tij me pajisje teknologjike të nevojshme. Vendimet për udhëheqësit e laboratorit tashmë janë marrë dhe puna për projektin GreenWB do të vazhdojë intensivisht.
Ky bashkëpunim pritet të sjellë përfitime të mëdha për UKZ, duke e pozicionuar atë si një lider në edukimin për zhvillim të qëndrueshëm në rajon. /2LONLINE/