Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po merr pjesë në punimet e Sesionit të janarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, deputetët Arben Gashi, Enis Kervan, anëtarë, Ariana Musli- Shoshi, si dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë, po marrin pjesë në punimet e sesionit (22-26 janar 2024), i cili po mbahet në Strasburg.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, anëtarët e delegacionit do të marrin pjesë në punimet e sesionit, në takime të grupeve politike, të komiteteve dhe në aktivitete të tjera, si dhe do të zhvillojnë takime edhe me anëtarë të delegacioneve të tjera dhe me personalitete të rëndësishme.
Këto ditë në Strasburg do të qëndrojë edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili pritet të zhvillojë disa takime me personalitete dhe me delegacione të shteteve që i përfaqësojnë në këtë institucion.
Kryetari i Kuvendit pritet të marrë pjesë edhe në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili do të mbahet më 23 janar 2024. Sipas agjendës, para anëtarëve të këtij komiteti për pikën “opinioni statutar për aplikimin e një shteti për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, e që është fjala për Kosovën, anëtarëve të këtij komiteti do t’i adresohet Kryetari Konjufca.
Pritet që në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci dhe në takimin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut të ketë zhvillime që ndërlidhën me Kosovën.
Në takimin e parë do të paraqitet për konsultim draft-rezoluta për ngjarjen e 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës, iniciuar nga deputeti gjerman Knut Abraham dhe të tjerë, kurse në takimin e dytë do të flasë raportuesja nga ky komitet lidhur me përgatitjen e opinionit konsultativ, e që do të jetë edhe adresimi i saj i parë pas vizitës së saj vitin e kaluar në Kosovë.
Këto ditë për një vizitë zyrtare në APKE, po qëndron edhe zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, i cili po ashtu pritet që të ketë disa takime me personalitete me rëndësi në këtë institucion.
Në kuadër të punimeve të kësaj pjese të sesionit do të trajtohen shumë tema që ndërlidhen me zhvillimet aktuale dhe që padyshim do të kenë edhe vëmendjen e anëtarëve të delegacionit nga Kuvendi i Kosovës.
Në këtë pjesë të sesionit u zgjodh President i ri i APKE-së për vitin 2024, Theodoros Rousopoulos, deputet grek.
Debatet mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme: sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit dhe reagimi i Izraelit, dhe mbi akuzat për torturë sistematike në vendet e paraburgimit në Evropë, do të jenë ndër pikat kryesore të Sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Po ashtu, është bërë kërkesë për një debat me procedurë urgjente për situatën e fëmijëve të Ukrainës.
Përveç këtyre temave, deputetëve do t’i drejtohet presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides dhe ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe kryeministri i Lihtenshtajnit, Daniel Risch.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit i Lihtenshtajnit, Dominique Hasler, kryetarja e Komitetit të Ministrave dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq do të paraqesin komunikimet e tyre në Asamble dhe do të marrin pyetje nga anëtarët.
Është paraparë që edhe liderja e opozitës demokratike bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya t’i drejtohet Asamblesë gjatë debatit “Një e ardhme demokratike për Bjellorusinë”.
Gjatë seancës parlamentarët do të zgjedhin edhe Komisionerin e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut.
Ndërsa, Dunja Mijatoviq, Komisionerja në largim për të Drejtat e Njeriut, do t’i drejtohet Asamblesë më 22 janar.
Në rendin e ditës është gjithashtu një debat për globalizimin në kohë krizash dhe lufte, dhe rolin e OECD-së që nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OECD-së, Mathias Cormann.
Debate të tjera përfshijnë temën e migrimit dhe azilit në fushatën zgjedhore, kundërvënien e SLAPP-ve, si një imperativ për një shoqëri demokratike dhe parandalimin e abuzimit të fëmijëve në institucionet në Evropë. /2LONLINE/