Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, po dëshmohet si blerja më e qëlluar e Veronës.
Në fakt, Rrahmani është shndërruar në lojtarin kryesor të mbrojtjes së ekipit italian dhe njeriun më të besuar të trajnerit Ivan Juriq, ka shkruar të mërkurën gazeta “Corriere di Verona”.
25-vjeçari, te Verona, ekip që u kthye këtë edicion në Serie A, u transferua në verën e këtij viti nga Dinamo Zagrebi për 2.1 milionë euro dëmshpërblim.
Rrahmani ka kontratë deri në vitin 2023, kurse është lojtari i vetëm në ekip që ka më së shumti paraqitje deri më tash. Ai është i vetmi te Verona që ka luajtur në të gjitha ndeshjet, pa u zëvendësuar asnjëherë.
Rrahmani ka 15 paraqitje në Serie A dhe një në kuadër të Kupës së Italisë, saktësisht 1459 minuta në total.
Gjatë gjithë këtyre minutave në fushë është ndëshkuar vetëm një herë me karton të verdhë, në ndeshjen kampionale kundër Juventusit.