(2L ONLINE) -Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff ka qëndruar të enjten në Gjilan ku ka takuar kreun e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin, ndërsa në prononcimin për gazetarë ai ka thënë se e vlerëson që zgjedhjet në Kosovë kaluan mirë, se ishin mirë të organizuara, ishin po ashtu fer dhe demokratike dhe se tani duhet pritur certifikimin e rezultatit. Ndërsa i pyetur lidhur me koalicionin LDK, AAK e NISMA, që mund të prodhojë qeverisje ne ardhshme, ai tha se kjo çështje nuk ka të bëjë me bashkësinë ndërkombëtare, është çështje e brendshme e partive politike të cilët mund të bisedojnë e të lidhin koalicione mes tyre.
“Bisedat e koalicionet mes partive politike nuk kanë të bëjnë me Bashkësinë Ndërkombëtare, ato i përkasin plotësisht partive politike”, ka thënë Cliff., i cili pastaj ka folur edhe për takimin që pati me kreun e Komunës Lutfi Hazirin me të cilin tha se ka bashkëbiseduar për zhvillimin ekonomik dhe prosperimin e komunës së Gjilanit, zhvillimin e kësaj komune që do të reflektonte edhe në gjenerim të vendeve të punës.
E rreth koalicionit LDK-AAK-NISMA ka folur edhe kreu i komunës Lutfi Haziri i cili ishte pyetur se a ishte bërë kjo me bekimin e ndërkombëtarëve, e ai ka thënë se kjo çështje është punë e kryer nuk ka më kthim mbrapa dhe edhe sipas tij, nuk ka pas kjo të bëjë me bashkësinë ndërkombëtare, por se kanë qenë partia e dytë e tretë, e katërtë… që janë bërë bashkë, është vendim i drejtë dhe kushtetues dhe është bërë për kthesën e madhe, është bërë për ndryshime.
Haziri tha se po presin certifikimin e rezultateve dhe fillimin e krijimit të qeverisë së re sepse kthim prapa nuk ka. Edhe ai tha se me ambasadorin Cliff ka bashkëbiseduar për zhvillimet e sfidat në komunën e Gjilanit për të prosperuar tutje për një jetesë më të mirë të qytetarëve. /2L ONLINE/