Pyetjet dhe temat që hapen në lidhje me, a me Lindjen a me Perëndimin, janë pyetje që burojnë nga një mentalitet i robit i cili në mënyrë mazohiste dhe me një servilizëm të skajshëm mundohet t’i imponohet të tjerëve. Në rastin më të lehtë, janë manifestim i paaftësisë totale për ta kuptuar veten, Lindjen dhe Perëndimin.
Shkruan: Mustafa BAJRAMI
S’ka dyshim se arabët e 100 vjetëve të fundit janë modeli më i shëmtuar që është krijuar si rezultat i përhapjes së këtyre temave dhe i paaftësisë dhe pa gatishmërisë për të dhënë përgjigjen adekuate në to.
Pyetjet si kjo në tokat arabe janë shtruar për dekada, shtrohen edhe sot. Historikisht dihet se këto pyetje atje nuk i sollën ata që ia donin të mirën fesë, shtetit dhe kombit të tyre. Dhe, sikur qëllimshëm atyre pyetjeve asnjëherë nuk iu dha përgjigjja e merituar.
Shoqëritë arabe të hutuara në mes Lindjes dhe Perëndimit sot janë bërë “të pa banueshme”, ndërsa tokat e tyre janë shndërruar në pellgje gjaku. Nga ky këndvështrim, arabët e sotshëm janë modeli më i mirë për të mësuar si duhet të punohet më së keqi.
Andaj, kthyer tek ne, në vend se të ç’orientojmë rininë tonë me pyetje, si, a me Lindjen a me Perëndimin(!) ne duhet të përfitojnë në përvojat e Lindjes dhe Perëndimit.
Fillimisht, duke i studiuar mirë ato. Duhet të punojmë në atë mënyrë sa t’i bëjmë vendet tona të përshtatshme dhe joshëse për investime nga të gjitha anët, pra, edhe për Lindjen edhe për Perëndimin.
Megjithëqë ne nuk jemi, por edhe po dashtëm, nuk mund të bëhemi faktorë determinues në politikat globale, është në dorën tonë të vendosim nëse duam të jemi të gatshëm, të përshtatshëm dhe joshës për tërheqjen e investimeve të jashtme.
Askush nuk vjen tek ne të investojë për shkak të pozitës strategjike që kanë tokat shqiptare, por vijnë nëse atyre u sigurohet ambient i përshtatshëm, respekt dhe siguri që t’i zhvillojnë bizneset e tyre.
Bota sot nuk funksionon në bazë të këtyre pyetjeve dezorientuese që i parashtrojmë ne, por funksionon në bazë të ligjeve të botës së tanishme ku paraja shkon atje ku rritet dhe e mira materiale atje ku zhvillohet.
Është parim i fesë islame që dija, e mira, e madhërishmja dhe e virtytshmja të kërkohet edhe në cepin më të skajshëm të botës.
Prandaj, ne nuk bënë të veprojmë siç jemi duke vepruar. Është gabim i madh nëse nuk e parandalojmë trendin që me paaftësinë tonë e kemi krijuar. Është çmendi e llojit të vet të mendohet në dëbimin e miqve dhe investitorëve të huaj. Ata që për ndonjë arsye të ulët mendojnë apo planifikojnë ta bëjnë këtë, ata janë armiqtë e këtij vendi, janë tradhtarët e kombit shqiptarë…!