Shkruan: Ismajl Kurteshi
Ka kohë që kur disa studio televizive dhe mjete të tjera të informimit gumëzhijnë nga analizat kritike, shpesh edhe tendencioze, në lidhje me raportet e Kosovës me ndërkombëtarët, për shkak të diferencave në mes të Kosovës dhe ndërmjetësuesve të BE-së, të cilët aktualisht e kanë edhe përkrahjen e SHBA-ve, në lidhje me krizën në veri të vendit, të krijuar nga Serbia.
Në këto debate kryesisht analizohen pasojat që mund t’i ketë Kosova nëse nuk i pranon kërkesat e Serbisë, të transmetuara përmes Borrelit dhe Lajçakut, të cilët hapur janë në krahun e Serbisë. Këto analiza do të ishte në rregull, sikur analistët ta trajtonin këtë problem edhe nga këndi tjetër.
Cilat do të jenë pasojat për shtetin e Kosovës po të pranohen këto kërkesa?
Cilët do të jenë hapat e ardhshëm të cilët Serbisë do t’i ndërmerr pas realizimit të kërkesave aktuale?
A do të mund të funksionojë shteti i Kosovës, nëse realizohen kërkesat e Serbisë?
A mund t’ju besojmë ndërmjetësuesve, të cilët Serbinë, pas çdo mosbashkëpunimi po e shpërblejnë, ndërsa Kosovën pas një kundërshtimi të arsyeshëm po e sanksionojnë?
A është e drejt të aprovohet asociacioni për serbet e Kosovës derisa nuk pranohet reciprociteti që i barazon shqiptarët e Luginës së Preshevës me serbët që jetojnë në Kosovë?
Pse asnjëherë nuk debatohet për mbi 12.000 shqiptarët e dëbuar me forcë nga pjesa e Mitrovicës përtej Ibrit, të cilëve nuk po ju lejohet kthimi në shtëpitë e tyre?
Nëse analistët vërtetë duan që me analizat e tyre të kontribuojnë në daljen e Kosovës nga kjo krizë, pa pasoja, duhet që problemin ta trajtojnë gjithanshëm dhe tema bosht e debatit të jetë e ardhmja e Kosovës. /2LONLINE/