Pas luftës ruso-osmane, ku humbësit e luftës ishin osmanët, Perandoria Osmane për t’i shpëtuar territoret e veta, e në veçati osmanët për ta shpëtuar Stambollin, meqë rusët kishin pushtuar Shën-Stefanin, në këtë qytezë bregdetare të Shën-Stefanit, në afërsi të kryeqytetit osman Stambollit, nën presionin rus, osmanët vendosën t’i japin territoret e banuara me shumicë shqiptare me vendimin e 3 marsit të vitit 1878, në të ashtquajturin “Traktati i Paqës”, ose “Traktati i Shën-Stefanit”. Pra, territore me shumicë të banuara i jepen Serbisë, Malit të Zi, si dhe Bullgarisë, vëllezërve të vegjel sllavo-ortodokës të Rusisë.
Shkruan: Sami Arifi
Osmanët ishin të detyruar nga vendimet e paqës së Shën-Stefanit, për dhënien e territoreve që u nënshkruan më 3 mars të vitit 1878, dhe u quajt “Traktati i Paqes”, meqë u nënshkrua në Shën-Stefan i cili njihet edhe si “Traktati i Shën-Stefanit” ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Ruse.
Pas nënshkrimit të “Traktatit të Shën-Stefanit” del se, kërcënimet e para të drejtpërdrejta ishin midis Anglisë dhe Rusisë, ku kjo e para insistonte për mbajtjen e një kongresi me karakter ndërkombëtar, për ta zhvlerësuar këtë traktat, të cilën e kundërshtonte Rusia, e që u mundësua vetëm atëherë kur Austro-Hungaria propozoi më 26 mars 1878 mbajtjen e këtij kongresi ndërkombëtar, nga se e kishte bazën e konventës ruso-austro-hungareze të 15 janarit të vitit 1877.
Ky kongres me karakter ndërkombëtar i ashtquajtur “Kongresi i Berlinit” ia doli të zhvlerësoi “Traktatin e Shën-Stefanit” dhe të pengoi luftën e menjëherëshme në mes Anglisë dhe Rusisë, duke ia zgjatur edhe për pak kohë jetën osmanëve në Evropë. Edhe se pretendimet ruse për zgjerimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë pak ishin tkurrur (ngushtuar), megjithatë trojet shqiptare u copëtuan, u ndanë me shumicë nga zotërimi osman. Serbisë iu dhanë afro 11.000 km katror, Nishi dhe shumë qytete të tjera, si dhe me shumicë fshatërash, më se 7.00, kryesisht të banuara me shqiptare. Malit i Zi u zgjerua me territor më se 50% , kryesisht në trojet shqiptare, krejt këto me vendimet e “Kongresit të Berlinit”, që i kishte nënshkruar Perandoria Osmane dhe e cila ishte e detyruar t’i zbatoi ato vendime.
Hartat e zgjerimit të përfitimit territorial të Serbisë dhe Malit të Zi nga Traktati i Shën-Stefanit dhe nga Kongresi i Berlinit më 1878.
Shqiptarët, duke e parë rrezikun e copëtimit të tokave të tyre stërgjyshore, vendosën të formojnë “Lidhjen Shqiptare” në Prizren më 10 qershor të vitit 1878. Meqë kjo lidhje u mbajt në Prizren, u quajt “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Organet e larta të Lidhjes ishin: Këshilli i Përgjithshëm me kryetar Iljaz Pashë Dibrën, për funksione legjislative, ndërsa për funksione për ekzekutiv nga kuvendi u zgjodhën: Abdyl Frashërin, kryetar të komisionit për punë të jashtme, Sylejman Vokshin, anëtar të shtabit dhe kryetar i financave, ndërsa Shaban Haxhiu u caktua kryetar i ministrisë së mbrojtjës.
Formimi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare-Në fillim të vitit1881 u mbajt kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kuvendi përjashtoi nga organi drejtues i Lidhjes kundërshtarët e autonomisë, si dhe formoi “Komitetin Kombëtar”, pra, “Qeverinë e Përkohëshme” me në krye Haxhi Ymer Prizrenin, ndërsa Abdyl Frashëri u caktua kryetar i punëve të jashtme, kurse Sylejman Vokshi u emërua ministër i mbrojtjes.
Kush ishin Haxhi Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi?
Haxhi Ymer Prizreni-ishte myderriz (profesor) i lindur në Prizren dhe kishte sjellje të mira me të gjitha nacionalitetet që bashkëjetonin me shqiptarët. Më vonë u zgjodh kryetar i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Prizrenit, kur ajo (LSHP) u konfrontua me Perandorinë Osmane. Edhe pas arritjes së Dervish Pashës me ushtri në Prizren, Haxhi Ymer Prizreni nuk iu dorëzua pushtetit osman, por me gjithë dokumentet e Lidhjes, ai u strehua në Malësi. Ai thoshte: “Nuk po luftoj osmanët pse janë myslimanë, meqë edhe unë jam i të njejtit konfesion, por osmanët pengojnë synimet tona nën okupim, si dhe po bëjnë copëtimin e territoreve shqiptare nën presionin rus”. Ai lindi në Prizren dhe vdiq në Ulqin.
Abdyl Frashëri-ishte njëri nga ideologët më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai përpiqej që viset shqiptare të fitonin pavarësinë e tyre. Ai u lind më 1839 në Frashër. U kap nga osmanët dhe u dënua me burg të përjetshëm. Pasi pushteti osman e kishte pruar në një gjendje kritike shëndetsore, pas pesë viteve burg, e liruan, ku pas një kohe të shkurtër vdiq në Stamboll më 1892.
Mësimet fillore i bëri në vendlindje, kurse të mesmet në gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Aktiviteti patriotik dhe puna e tij në kohën e Lidhjes së Prizrenit e bën atë të pavdekshëm, jo vetëm tek populli shqiptar, por edhe më gjerë. Ai, përveç që ishte organizator dhe diplomat i aftë, kishte edhe pendë të fortë, si dhe vëllezërit e tij.
Sylejman Vokshi-lindi në Gjakovë më 1825, ai u dallua në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sidomos në epokën e Lidhjes së Prizrenit, kur ishte edhe kryekomandant i forcave të Lidhjes. Vdiq në vitin 1895.
Synimet kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishin: Mbrojtja e territoreve shqiptare nga okupimi i të huajve. Njësimi i katër vilajeteve në një vilajet, apo elajet (provincë) dhe si imperativ i rrethanave, njëherë nën sovranitetin e Sulltanit, e pastaj realizimin e aspiratave për fitimin e pavarësisë së plotë shtetërore të Shqipërisë.
Veprimet e Lidhjes ishin të orjentuara në mosrespektimin, jo vetëm të paqës së Shën-Stefanit, por edhe në atë të mosrespektimit të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Pra, veprimet e Lidhjes ishin që të iu mundësohet administrimi i vendit në gjuhën shqipe, nga shqiptarët, zhvillimi i kulturës, shkencës dhe arsimit në gjuhën shqipe, që ishin të ndaluara vetëm për shqiptarë, ndërsa popujve tjerë iu lejoheshin këto të drejta nga Perandoria Osmane edhe pse ishin pakica në trojet shqiptare, si; serbëve, grekëve, bullgarëve e të tjera.
Të bëhet shfrytëzimi i taksave të të vjelave për nevoja të vendit. Në shtetin shqiptar, autonom të pavarur, mos të ketë shfrytëzim fetar, kombëtar e social, por Shqipëria të ishte një institucion shtetëror dhe shoqëror, i rregulluar në principe demokratike dhe republikane.
Për këto qëllime, lufta e shqiptarëve bëhej kundër Perandorisë Osmane, si dhe kundër shteteve ballkanike. Repartet e Qeverisë Shqiptare, të komanduara nga Sylejman Vokshi, gjatë janarit çliruan gjithë Kosovën, si dhe Shkupin, Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën.
Fati i përpjekjeve të popullit shqiptar për liri ishte në kundërthënie të shumta në mes të Fuqive të Mëdha. Konfrontimi i Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit ishte për zona të ndikimit, që nuk u udhëhoqën punimet e këtij Kongresi në bazë të parimeve të lirisë së popujve, pra popullit shqiptar, por nga interesat e tyre të veçanta që bënë konfrontime të thella ndërmjet tyre.
Pra, edhe se në rrethana të tilla ishin shqiptarët, nuk munguan organizimet e shqiptarëve për dërgimin e peticioneve, memorandumeve Fuqive të Mëdha. Shqiptarët formuan edhe organizata politiko-ushtarake, si ajo e Lidhjes së Prizrenite, deri te kryengritjet e armatosura për liri dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të tyre.
Edhe pse kryengritjet shqiptare u shuan me gjak, si nga brenda Perandorisë Osmane që zotëronte trojet shqiptare, nga osmanet, ashtu edhe nga shtetet ballkanike, të përkrahura nga Fuqitë e Mëdha, që bënë copëtimin e territoreve shqiptare, por që zgjimi i vetëdijes kombëtare shqiptare në masat popullore, përkundër dhunës, masakrave, terrorit që ushtruan mbi popullaten shqiptare, armiqtë shekullor, u rritë edhe më shumë, nuk u shua asnjëherë, duke mos i lënë të qetë pushtuesit, pra, për aspiratat e tyre (shqiptarëve) në çlirimin e plotë të vatrave stërgjyshore.