Trajneri i Kosoves, Bernard Challandes, pas stërvitjes së parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, është paraqitur para mediave.
Duke komentuar kundërshtarët e ardhshëm, Malin e Zi dhe Bullgarinë – ai foli edhe për prurjet e reja, që mund t’i ndihmojnë Kosovës në këto dy ndeshje, sepse do të mungojnë Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala.
Në mesin e disa emrave të rinj për ndeshjet e qershorit është edhe Anel Rashkaj, i cili ka bërë katër paraqitje me Kosovën.
Rashkaj nuk përjashtohet që të luajë në krah të Besar Halimit në mungesë të Shalës, Berishës e Kryeziut, derisa ka mundësi që edhe Hadërgjonaj të startojë në mesfushë.
“Ne si ekip duhet të bëjmë një hap tutje, të kemi dy futbollistë cilësorë për çdo pozicion që të kemi më pak probleme kur të kemi lëndime, si tani (Shala, Kryeziu dhe Berisha). Ndoshta tani e fillojmë këtë rrugë edhe me ardhjen e Florent Hdërgjonaj për të cilin jam i lumtur që na është bashkangjitur dhe do të jetë me ne për këto dy takime”, deklaroi Challandes.
“Gjithashtu kam ftuar edhe Dresevic dhe Ibrahimaj, të cilët janë pjesë e projektit për të ardhmen. Do të shoh nga afër formën e tyre. Është një sinjal se ne po planifikojmë të ndërtojmë diçka edhe për të ardhmen”.
“Në fund kam ftuar edhe Anel Rashkaj, e kam vëzhguar për disa ndeshje. Nuk është lojtar i ri, po për këtë grup, ama ai ka luajtur tashmë për Kosovës. E kam vëzhguar për disa ndeshje dhe kam qenë shumë i lumtur me atë çka ka treguar. Ka pasur disa paraqitje të mira dhe për atë arsye kam vendosur ta ftojë”, theksoi mes tjerash trajneri i “Dardanëve”.
Kosova fillimisht do të luajë me Malin e Zi, me 7 qershor – tri ditë më pas me Bullgarinë, 10 qershor.