Haziri viziton KBI në Gjilan në prag të Fitër Bajramit

Haziri viziton KBI në Gjilan në prag të Fitër Bajramit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, për të dhënë mesazhin e fundit në prag të festës së Fitër Bajramit

“Jam i nderuar që jam sot bashkë me kryetarin Aliu për të përcjellë mesazhin e fundit për Fitër Bajramin. Kemi kaluar një muaj të sakrificës dhe lutjeve tona përmes urisë. E lus Zotin që ashtu sic na ka krijuar të barabartë, ashtu të na gjej të barabartë në këtë festë në shtëpitë dhe sofrat tona”.

“Vetëm në këtë muaj ka filluar ndërtimi i 26 shtëpive për familjet skamnore, kemi rregulluar infrastrukturën për tri xhami, në Balec, në fshatin Pidiq dhe në Kmetoc. Kemi dhënë tokë për xhaminë e “Zabelit” dhe jemi në procedurë të dhënies së tokës për xhaminë e Velekincës së Epërme”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe bashkëpunimin e ofruar në vazhdimësi.

“Më lejoni t’ju urojë Fitën Bajramin, duke e lutur të Madhin Zotin që të na e pranojë të gjitha punët që i kemi bërë gjatë këtij muaji, agjërimin, namazin, lutjet dhe zekatin. E falënderoj edhe kryetarin Haziri që gjatë këtij muaji, por edhe sot, ka gjetur kohë që të jemi bashkë dhe të urojmë besimtarët. Ju informoj se KBI gjatë këtij muaji ka shtruar mbi 3 mijë iftare për të gjitha kategoritë”, tha Aliu.

Kreu i Gjilanit ka konfirmuar se është vendosur edhe për dhënien e tokës për selinë e Bashkësisë Islame, e cila do të jetë krahas institucioneve të tjera shtetërore sepse bartë shumicën e anëtarëve dhe besimtarëve të saj në Gjilan.

“E falënderoj Bashkësinë Islame edhe për kultivimin e dialogut fetar sepse kemi bashkëpunim të mirë më të gjitha komunitetet fetare, sic është kisha ortodokse, kisha protestante dhe komuniteti sadi. Po ashtu, dua t’ju informoj se jemi në procedurë të shenjëzimit të varrezave të qytetit”, tha Haziri.

Kryetari i KBI’së, Naim Aliu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen edhe në këtë aspekt në sigurimin e tokës për selinë e tyre.

KOMENTE