Trajneri i Kosoves, Bernard Challandes është paraqitur përpara mediave në prag të sfidës ndaj Republikës Çeke më 7 shtator në “Fadil Vokrri”.
Tekniku zvicerian ka kërkuar nga futbollistët e tij përpara kësaj ndeshje të tregojnë forcë, të tregojnë pasion dhe shumë agresivitet, pasi që Kosova është ende në garë për të siguruar kualifikimin drejt “Euro 2020”.
“Shpresoj se lojtarët janë të gatshëm për këtë sfidë nga ana psikologjike. Ajo se çfarë kam dashur unë gjithmonë është që ekipi të ketë plot pasion, të ketë forcë sepse ne kemi një ëndërr përpara të cilën duhet ta ndjekim. Për të arritur këtë ëndërr ne duhet të japim gjithçka nga vetja”, deklaroi Challandes.
Ai e ka përsëritur disa herë faktin se për këtë duel kërkon edhe mbështetje të zjarrtë nga tifozët, “Dardanet”.
“Kur po flas për lojë të çmendur, e kam për pasionin dhe vullnetin për të qenë gjithmonë të gatshëm për çdo aksion. Një mentalitet i cili është gjithmonë i vëmendshëm për të qenë në gjendje për të shënuar dhe për t’u mbrojtur në çdo moment. Një element kyç për ne është edhe publiku. Kërkojmë edhe mbështetje të çmendur edhe nga publiku, pasi që na duhet një fitore”, deklaroi Challandes.