Kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, po shijon pensionimin e sportit, por ka mbetur aktiv sërish për futbollin.
Ai ka hapur fondacionin e tij dhe po udhëton në të gjitha trojet shqiptare për të transmetuar mesazhe pozitive në lidhje me përhapjen e sportit.
Ish-mbrojtësi ka dhënë një intervistë të gjatë për karrierën e tij, nga kombëtarja te klubet, por dhe te planet pas sportit.
Kosova – “Shqiptarët kanë një kombëtare, por kanë edhe një përfaqësuese tjetër tani. Mos t’i ngatërrojmë emrat, duket një detaj por është shumë e rëndësishme. Kombëtarja është një dhe nuk ka tjetër. Është ajo që është e kuqe, ajo është me simbolin kombëtar dhe nuk ka të tjera. Krejt të tjerat janë përfaqësuese. Kosova ka momentin e vet dhe duhet të jetë për të mirën e të gjithëve sa më e suksesshme. Këtu flasim për ajkën, ata që e përfaqësojnë sportin. Diferencën e bën ai që investon në vendin e tij, jo ai që merr nga jashtë më të mirët. Nuk kam pretendime të jem trajner i Shqipërisë apo i Kosovës. Në botën drejtuese i kam pretendimet e mia, por i kam për jashtë. Nuk e kam synimin të bëhem president federate, të paktën jo tani. Interesante është të bëjmë një turne të përbashkët futbolli. Për momentin nuk kam asnjë plan të përfshihem në ndonjë detyrë zyrtare”.