Ndryshimet e paralajmëruara në pakon fiskale në vend që pritet të hyjnë në fuqi nga janari 2018 janë dizajnuar që të stimulojnë dhe rrisin konkurrueshmërinë e sektorit të prodhimit dhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve në vend.
Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Amerikane, ku bizneset u njoftuan nga afër mbi përmbajtjen e pakos fiskale, si dhe kriteret e përfitimit nga masat e reja fiskale, nga ana e Këshilltarit të Ministrit të Financave, z. Lulzim Rafuna.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se bizneset kanë mirëpritur vendimin për ndryshimet në ambient fiskal, mirëpo ende ka huti mbi atë se çka përmban kjo pako dhe procedurat që bizneset duhet të ndjekin për të përfituar nga ajo. Ai tha se tryezat si kjo e sotmja mund të ndihmojnë që bizneset të krijojnë ide më të qartë mbi përfitimet që ndryshimet do të sjellin, sidomos në mesin e kompanive të prodhimit dhe atyre të TIK.
Rafuna njoftoi bizneset se ashtu si është paralajmëruar nga 1 janar 2018 do të hyjnë në fuqi masat për lirimin doganor të lëndëve të para, gjysmëprodukteve, pajisjeve dhe linjave të prodhimit si dhe paisjeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Gjithashtu, ai sqaroi se të gjitha ato biznese prodhuese që marrin autorizimin e nevojshëm do të përfitojnë nga lirimi doganor dhe shtyerja e TVSH-së. Gjithashtu, për të favorizuar bizneset prodhuese do të mundësohet lirimi doganor dhe heqja e akcizës edhe për importet përmes kontraktorëve në mënyrë që të lehtësohet kostoja për prodhuesit të cilët nuk kanë mundësinë që ta importojnë atë vetë.
Ai poashtu foli edhe për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe atij të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar gjatë vitit 2018, duke potencuar se Ministria e Financave e sheh si të drejtë shqetësimin e kompanive të sigurimit për sa i përket tatimit në fitim prej 5% mbi qarkullimin e përgjithshëm që përbënë trajtim jo të barabartë krahasuar me bizneset e tjera.
Duke folur për vonesën në zgjidhjen e rasteve të bizneseve kundër Administratës Tatimore dhe Doganës, ai tha se Ministria e Financave do të kërkojë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që Divizioni Fiskal të merret vetëm me këto raste dhe jo edhe me raste të tjera të natyrës komerciale.