Në seancë solemne është konstituuar përbërja e re e Asamblesë Komunale të Kamenicës, e dal nga zgjedhjet e fundit lokale, ku anëtarët e Kuvendit të Kamenicës, por edhe kryetari i ri i Komunës Qëndron Kastrati, solemnisht kanë bërë betimin.
Seanca është udhëhequr nga anëtari më i vjetër i Asamblesë Enver Mavriqi.
Në fjalën e tij me rastin e betimit, kryetari Kastrati ka falënderuar gjithë përkrahësit e tij duke filluar në veçanti nga qytetarët e Komunës se Kamenicës. Por, në rrugën për zhvillimin e Kamenicës, Kastrati ka kërkuar përkrahjen e gjithë Asamblesë Komunale, duke kërkuar bashkëpunim dhe seriozitet ne punën e qeverise komunale.
Ai i falënderoi të gjithë qytetarët e Komunës se Kamenicës për kulturën e treguar në zgjedhjet lokale si dhe besimin e dhënë. Mbështetja e qytetarëve ishte vendimtare për bërjen e ndryshimit edhe në Komunën e Kamenicës. Ai u zotua se do të punojë me nderë e besnikëri me të gjithë qytetarët e Komunës.
Derisa kryetari i deritanishëm, Begzad Sinani duke e uruar kryetarin Kastrati, tha se detyra e kryetarit është privilegj por njëkohësisht edhe përgjegjësi. “Uroj Kryetarit Kastrati mandatin qeverisës, duke I dëshiruar punë të mbarë dhe shëndet në jetë”, ka thënë Sinani.