Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka pranuar sot kontigjentin e tretë të pajisjeve mbrojtëse nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në vlerë prej 5 milionë eurove.
Kjo mbështetje vjen në kuadër të fazës së tretë të shpërndarjes së donacionit, si mbështetje për parandalim dhe mbrojtje nga Covid-19.
Në ceremoninë e dorëzim-pranimit të donacionit morën pjesë; Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Basri Sejdiu, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, zyrtarë të BE-së në Kosovë, por edhe mjekë dhe përfaqësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante.
Në donacion përfshihen 10 autoambulanca, 100 shtretër dhe pajisje të tjera.
Me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, falenderoi BE-në për këtë donacion, duke shprehur se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të ketë edhe donacione të tjera.
Drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, tha se këto 10 autoambulanca janë të mirëpritura dhe do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së profesionistëve shëndetësorë. Sipas tij, ky donacion vjen në kohën më të duhur dhe shumë të nevojshme.
Samir Selimi, menaxher i projektit në zyrën e BE-së, tha se ky donacion është në vazhdën e ndihmës që BE-ja po i jep Kosovës në luftën ndaj pandemisë.