Mediumi i famshëm britanik, BBC ia ka kushtuar një artikull të vecantë Kosovës para ndeshjes së sotme në “Fadil Vokrri”.
Për më tepër se një javë në Kosovë ‘frymoi’ iniciativa kundër racizmit, ndërsa tashmë sheshet e kryezytetit janë stolisur me flamuj britanikë, sikurse edhe kafiteritë.
Kjo mikpritje i ka befasuar tifozët anglezë në Kosovë, ndërsa u ka rënë në sy edhe mediave ndërkombëtare.
“Ky është një demonstrim tipik kosovar i faktit se lojtarët e Anglisë do të mirëpriten këtu në një mënyrë që ata s’u priten në Malin e Zi dhe Bullgari, ku pjesëtarë të skuadrës së Gareth Southgate ishin subjekt i abuzimeve raciste”, shkruan BBC.
“Po ashtu, kjo tregon se në këtë qytet dhe në tërë Kosovën ende ndihet mirënjohja për përfshirjen e Britanisë së Madhe në çlirimin e vendit nga lufta”, shkruan tutje BBC.
Kosova nuk ka gjasa për kualifikim, ndërsa Anglia e ka siguruar kualifikimin dhe kjo ndeshje pritet të jetë spektakël në vete.