Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) përmes një harte dhe postimi të publikuar në profilin e tyre në “Facebook” ka bërë të ditur se në cilat komuna sot po zhvillohet gara e balotazhit.
E diele, 19 nëntor – Sot në 19 komuna mbahet raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave si dhe rivotimi vetëm për Kryetar të Komunës së Parteshit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton qytetarët me të drejtë vote nga komunat: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, Kllokot dhe Partesh – që të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës së tyre.
Numri i Qendrave të Votimit në këto 19 komuna është 614 me gjithsejt 1 mijë e 777 Vendvotime në këto komuna. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund është: 1 milion e 353 mijë e 613 votues.
Kurse, në komunën e Parteshit janë 4 mijë e 694 qytetarë me të drejtë vote, të shpërndarë në 3 Qendra Votimi me gjithsejt 7 Vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë disa konferenca për media, për të paraqitur të dhëna lidhur me daljen në votime dhe ecurinë e procesit e zgjedhor, në orën: 08:00; 11:30; 15:30; dhe 20:00. Konferenca për publikimin e Rezultateve Preleminare do të caktohet më vonë.
Votimi fillon në orën 07:00 dhe përfundon në orën 19:00.