Ky akt terrorizmi nga ana e shtetit serb ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë Lindore, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përmes demonstrimit të forcës si reagim i ngjarjeve politike të ndodhura ditë më parë në Mitrovicë, po shpërfaqë politikën e hapur të terrorit, frikës dhe ankthit ndaj kësaj popullate shqiptare.
Shkruan: Valon Jashari
Fluturimet e kryera në lartësi aq të ulët, gati mbi pullazet e shtëpive shqiptare, të ndjekura dhe të koordinuara nga ushtria tokësore serbe, me arsyetimin se gjoja për “parapërgatitje ushtarake” janë një justifikim i paqëndrueshëm dhe një keqpërdorim i hapësirës ajrore. Athua shtetit serb iu deshën kilometrat ajrore të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, për demonstrim të forcës ushtarake?! Apo, ishte një hakmarrje primitive e Beogradit ndaj shqiptarëve, të Kosovës Lindore si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të ultranacionalistit Gjuriq në Mitrovicë?!
Po atë ditë në Mitrovicë u publiku Stema mbi Asociacionin e Komunave Serbe, që është anti-Kushtetuese, Stemë që shkelë Ligjet e Republikës së Kosovës, për faktin se përmban në vete katër S-të. Ky shpërqendrim i vëmendjes nga Veriu (përmes Asociacionit-Stemës) në Lindje (Manovrat me avion ushtarak mbi Kosovë Lindore) është një taktizim me prapavijë të qartë politike, që në fakt po e pëson popullata shqiptare në të dy rastet.
Ky skenar i një konflikti real për situatën në rajon është shumë serioz duke marrë për bazë edhe ndikimin rus në rajon kohëve të fundit. Kjo tendencë e shtetit serb po bën përpjekje që edhe në politikën ndërkombëtare të balansoj situatat e interesit të fuqive, veprime të ngjashme me ato që Rusia kohë më parë po testonte forcat e NATO-së, duke shkelur vijat ajrore me avion ushtarak Rus të disa shteteve të BE-së. Kjo metodë e njejtë e ndjekjes së provokimeve ndërkombëtare sikurse ato të Rusisë, tregon se shteti serb është i kapur dhe ndërlidhur me interesat politike të përbashkëta sllavo-ruse.
Fluturimi i avionëve ushtarak serb mbi Kosovë Lindore, konsiderohet një provokim edhe ndaj bazës Amerikane në Ferizaj që është pak kilometra distancë nga kjo zonë. Provokimet e turpshme të Beogradit janë një përpjekje e shtetit serb duke pretenduar si një “faktor i rëndësishëm” në rajon dhe duke u munduar që të nxitë shtetet e BE-së në “prag të rrëshqitjes së ndikimit kah Rusia” që të vë në lëvizje edhe BE-në, sa i përket kritereve të saja për antarsim, duke dashur që të favorizohej shtetin serb, dhe ti lehtësoj rrugën e hyrjes në BE edhe pa kushtin e njohjes së Kosovës.
Përdorimi i avionëve ushtarak në shumicën e shteteve të ndryshme në botë dhe fuqive të mëdha, sidomos në momente të krizës, përdoren për të treguar forcën ushtarake. Si një praktik e zakonshme për demonstrim të forcës dhe sloganet që gjithherë përdoren karshi opinionit, se janë pjesë e ushtrimeve, fsheh në vetvete qëllime dhe mesazhe të qarta politike.
Autori është historian, ish-veteran i UÇPMB-së,dhe ish-Kryetar i “Lëvizjes së Lirisë”, Lëvizje që vepron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare.