Policia e Kosovës në veri bën të ditur se materiali zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të zhvillohen të dielën edhe në Kosovë, ka arritur.
Zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se materiali është pranuar nga OSBE-ja, kurse polica ka përcjellë konvojin e makinave.
Ai ka bërë të ditur se roli i Policisë së Kosovës do të jetë ruajtja e rendit publik, zbatimi i ligjeve dhe ofrimi i asistencës për OSBE-në.
Edhe zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky mision, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Serbi, do të ndihmojë procesin e votimit në Kosovë.