Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit, në një njoftim shtesë kanë bërë me dije se në vazhdën e veprimeve hetimore nga ana e Policisë së Kosovës-Drejtoria Rajonale, Gjilan në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë edhe me prokurorinë e shtetit, pas intervistimit të dëshmitarëve dhe mbledhjes së provave materiale, është identifikuar edhe një i dyshuar tjetër që dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme, të “Organizimit të Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm” në fshatin Karaqevë e Ultë të Kamenicës, rasti është iniciuar më 15.12.2021.
Zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani ka thënë se i dyshimti G. H.(1994) është arrestuar nga ana e hetuesve rajonal të Drejtorisë Rajonale të Policisë, Gjilan pasi që i njëjti ishte në kërkim policor. Pas intervistimit të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim edhe të dyshuarve tjerë.
Të gjitha veprimet hetimore janë duke u bërë në koordinim me Prokurorinë Themelore, Gjilan. /2LONLINE/