Ish anëtarja e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes, tani deputete e Kuvendit të Kosovës, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni ka thënë se Viti i Ri po na gjen me problemet dhe sfidat e vjetra, ndërsa është për tu ardhur keq, që për kryetarin e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin, Viti i Ri po shënon vitin e premtimeve dhe gënjeshtrave të vjetra, që tashmë jemi mësuar t’i dëgjojmë çdo vit. Ajo çfarë nuk jemi mësuar të dëgjojmë dhe shohim ne si qytetarë të Gjilanit, janë kryerja e punëve dhe realizimi i premtimeve të dhëna”, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ajo tha se pavarësisht se nëpër konferenca thuhet se kanë bërë shumë punë përgjatë 2019-tës për qytetin tonë, përmendin projekte investimesh të shumta, ne e dimë mjaft mirë se as 2019-ta nuk ka qenë vit ndër më të mirët për ne.
Arbëreshë Kryeziu – Hyseni tha se përpos krizës mjaft të madhe me ujin e pijes, krizë kjo me të cilën po ballafaqohemi edhe sot, Gjilani vazhdon të mbetet në terr dhe të kanoset çdo ditë, nga rreziku që paraqesin qentë endacak. Thuhet se ka qenë vit i një kalendari të ashpër të reduktimeve, por nuk jemi kursyer duke blerë lopë në vlerë 100 mijë euro, duke paguar kështu një lopë rreth 3000 euro.
“Kryetari i Gjilanit në konferencën e tij gjatë ditës së hënë tha se po punohet që në vitin 2020 të ndërtohen rrugët që do ta lidhin Gjilanin me zonat regjionale. Mesa duket ai nuk e ka në plan që as gjatë 2020 ta lidhë qytetarin e Gjilanit me qytetin e vet. Kujtojmë që kemi fshatra komplet të harruar nga qeverisja lokale, kujtojmë që kemi nxënës që vijojnë mësimet në kushte tejet të vështira, e kur jemi këtu, nuk mund t’I harrojmë pa i përmendur nxënësit e fshatit Haxhaj, të cilët akoma mbajnë mësimin në bodrumin e xhamisë së fshatit. Shërbimet cilësore shëndetësore akoma nuk kanë arritur tek secili qytetarë, sepse kujtojmë që ka ambulance nëpër fshatra që janë komplet jashtë funksionit”, tha Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas saj problemi me ujërat e zeza vazhdon të jetë njëra nga sfidat më të mëdha. U premtua që në vitin 2020 do të ndërtohet impianti në vlerë prej 26 milionë euro, por mos të harrojmë që gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, u premtua ndërtimi i impiantit në vlerë prej 30 milionë. Jo vetëm 4 milionë më pak, por gjasat janë mjaft të vogla që ky projekt të jetësohet në vitin që po na pret.
“Mund të them lirisht që viti 2019, ishte vetëm edhe një vit më shumë i dështimeve të Lutfi Hazirit si kryetar i komunës së Gjilanit. Mos prezenca e tij pothuajse në asnjërën seancë të rregull të Kuvendit Komunal, tregon sa është i interesuar ai të dëgjojë për diskutimet që asambleistët si përfaqësues të popullit hapin, e që janë zëri i qytetarëve në institucionin më të lartë politik në komunë. Mbarëvajtja e seancave, futja e pikave të rendit të ditës në mënyrë krejtësisht të jashtëligjshme, ndërprerja e seancave kurdo që pozitës i konvenon dhe vazhdimi i tyre kurdo që ata i bëjnë numrat e shumicës, tregon që komuna për Lutfi Hazirin, ekzekutivin e tij dhe grupin e këshilltarëve është kthyer në interesa të caktuara personale dhe jo në një interes të përgjithshëm për të mirën e përbashkët”, ka thënë ajo.
Por, sipas Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, viti 2019 na e solli njërën nga sukseset më të mëdha e mw të shumëpritur e që është fitorja e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Kjo fitore solli shpresë tek qytetarët, prandaj them që 2020 do të jetë viti i ndryshimeve jo vetëm për qytetarët e Gjilanit, por për të gjithë nga të gjitha qytetet e Kosovës. Sepse Qeveria Kurti prioritet do të ketë vënien e drejtësisë në vend, avancimin e zhvillimit ekonomik dhe ofrimin e mirëqenies sociale për qytetarët e Republikës. Viti 2020 do të jetë viti kur do të rinisë një epokë krejtësisht e re e skenës politike në vend dhe ku orientimi kryesor dhe I vetëm do të jetë qytetari”, ka thënë deputetja e vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, transmeton 2lONLINE.com.