Apelohen qytetarët e Komunës së Vitisë që të mos hedhin mbeturina në vende publike dhe të kujdesen për ambientin.
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, ka ndërmarrë sot një aksion për largimin e një deponie të mbeturinave në rrugën “Flaka e Janarit “ në Viti.
Kjo zonë në këtë rrugë, ishte shndërruar nga qytetarët e pandërgjegjshëm, në një deponi mbeturinash, që paraqiste shqetësim tek banorët që kalonin në atë rrugë.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Viti, Nexhmedin Jakupi, ka theksuar se këto deponi që po krijohen nga qytetarët, janë të ndaluara rreptësishtë dhe sanksionohen me ligj.
“Hedhja e mbeturinave vend e pa vend, dëmton shëndetin e qytetarëve, dëmton natyrën dhe prish imazhin e qytetit. Andaj apelojmë tek qytetarët, që të mos hedhin mbeturina skaj rrugëve, ndërtesave të banimit e kudo tjetër në natyrë, por atë ta bëjnë përmes kompanisë së pastrimit, e cila bënë grumbullimin dhe sistemimin e mbeturinave”, ka thënë Jakupi. /2LONLINE.com/