Mendohet në këto hapësira gjeografike të rruzullit se Shtetet e Bashkuara janë fuqia kryesore ekonomike. Ky opinion ndërron gradualisht, sidomos në Europë e këtë e vërtetojnë sondazhet e fundit të bëra në shtetet më të përparuara por këtë herë, pas disa sqarimeve të shkurtra, do të ndalem në rezultatet e fundit të nxjerra para disa ditëve nga Pew Resarch Center me seli në Washington.
Nga Reis Mirdita
Pak a shumë, dihet rëndësia e vendeve të fuqishme në renditjen në shkallë botërore ku bazohemi në kuotat e prodhimit pra në Bruto Prodhimin e Brendshëm (PBB) të ngritur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Llogaritur me dollarë, SHBA gjendet në krye, para Kinës por kjo mënyrë e paraqitjes nuk është e mirëfilltë nga momenti ku llogaritja nis nga aftësia (forca) e mundësisë për blerje, të cilën shumë studiues e konsiderojnë më reale. Me një dollar jetohet ndryshe, do të themi më lehtë në Etiopi, në Shqipëri, në Kinë … se sa në SHBA.
Mënyra më e afërt për të pa e për të gjykuar forcën dhe arritjet e shteteve në botë në bazë të mendimit të banorëve të planetit (ose një rajoni, shtetit, kontinenti …), është sondazhi. Një të tillë e realizoi PRC, qendër e pavarur amerikane e cila iu drejtua popullatës me pyetjen: “Sipas jush, ku është (cili shtet, (sq. im) fuqia ekonomike botërore?” Sondazhi u krye në 38 shtete, Amerikë Latine, Afrikë (pjesa jugore), Europë, Azi por jo edhe në Kinë.
Amerikanët, që është disi e kuptueshme, 51% shprehen në favor të shtetit të tyre; numri më i madh nga vendet tjera, i radhisin SHBA numër një me 42% të pyeturve, mandej vjen Kina – 32%…
Të anketuarit e vendeve më të fuqishme europiane si në Angli, Francë, Gjermani, Spanjë dhe Holandë, e radhisin në vend të parë Kinën e mandej SHBA. Të njëjtin mendim kanë edhe të pyeturit në Kanada, Australi dhe Rusi.
Pyetjes rreth besimit/mosbesimit ndaj liderëve kryesorë botërorë mbi menaxhimin e punëve (çështjeve) botërore, sondazhi nxjerrë në pah se 74% shprehin mosbesim ndaj Trump-it, 59% ndaj Putin-it, 53%, ndaj Xi Jinping-ut…
Angela Merkel është më e besueshmja nga të gjithë. Ajo gëzon besimin e 42% të anketuarve përkundër 31%-shit që japin përgjigje negative.
*Të dhënat e nxjerra nga “Pew Resarch Center” – Washington