Anamorava si një prej pjesëve më të emancipuara të Kosovës ka ditur gjithmonë t’i nuhas ndryshimet. Kështu ka thënë kryetari i NISMA për Kosovën Fatmir Limaj në Gjilan në mbledhjen e Këshillit të degës së kësaj partie ku janë zgjedhur strukturat e degës.
Limaj me këtë rast ka uruar kryetarin e rizgjedhur të degës Bajram Hasanin dhe anëtarët e kryesisë për punë e deritashme.
Ai i ka dhënë mbështetjen e tij të pakursyer degës së Gjilanit. Limaj ka thënë se Anamorava gjithmonë ka qenë në krye të ndryshimeve dhe do të jetë edhe në zgjedhjet komunale që do të mbahen këtë vit.
“Anamorava gjithmonë ka qenë qendër e emancipimi dhe i ka nuhatur ndryshimet. Ju keni ditur gjithmonë të jeni në ballë të proceseve historike për vendin”, ka thënë Limaj me këtë rast.
Ai ka shfaqur besimin e tij se Anamorava në zgjedhjet lokale do të dijë të bëhet pjesë e ndryshimeve të mëdha për vendin.
“Besoj që qytetarët e Anamoravës do të jenë pjesë e ndryshimit. Juve ju inkurajoj që të punoni sa më shumë që ta bëjmë të mundshëm këtë ndryshim”, ka shtuar Limaj.
Ndërkaq kryetari i NISMA’së në Gjilan, Bajram Hasani i ka falënderuar për besimin e dhënë duke premtuar fuqizim të mëtutjeshëm të NISMA’s në këtë Gjilan. Sipas tij viti 2017 është vit zgjedhor dhe do të punojë sa më shumë që ta shtrijë ndikimin e NISMA’s në këtë qytet.
“Ju falënderojë edhe një herë për besimin që ma dhatë që unë të drejtoj edhe një mandat degën e NISMA’s në Gjilan. Nga këtu ju premtoj se dega jonë do të fuqizohet edhe më shumë dhe do të shtrirja e saj do të jetë më e gjërë dhe këtë do ta dëshmojmë edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti”, ka thënë Hasani.
Hasani, ndër të tjera ka shpalosur punën e degës që ai ka udhëhequr gjatë këtyre dy vjetëve. Ai ka falënderuar për punën gjithë anëtarët e Nisma-s në Gjilan, duke potencuar se rruga e Nismas nuk ka qenë fare e lehtë.
“Gjatë kësaj kohe NISMA në Gjilan është shtrirë në çdo lagje dhe çdo fshat të qytetit. Por ky është vetëm fillimi, ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë e më shumë që të shpijmë përpara politikat e NISMA’s.”, ka thënë Hasani.
Hasani ka vlerësuar se NISMA ka lindur dhe vazhdon të jetë si nevojë e qytetarëve të Kosovës.
“Me punën tonë ne kemi sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike të vendit por edhe të qytetit tonë. Ne jemi një subjekt serioz e me qëllime të sakta”, ka shtuar ai.
Këshilli i degës përveç kryetarit ka zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë së Nisma-s për Gjilanin.